Ambasadorja e re amerikane në OKB, Kelly Craft, filloi në detyrën e saj të re, ku gjatë dorëzimit të kredencialeve te Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres, deklaroi se “do të punojë në partneritet me gjithë vendet anëtare të OKB, për ta bërë botën më të lirë dhe më të begatë”.

Më pas, ajo doli para gazetarëve ku foli për krenarinë që ndjen të mbajë postin e ambasadores së SHBA në OKB, dhe premtoi se do të vazhdojë politikat e filluara nga administrata e presidentit Trump në OKB.

“Udhëheqja e Amerikës është e rëndësishme, kështu që unë do punoj për ta siguruar atë”, tha Craft. Ambasadorja e  deklaroi se “do të mbrojë vlerat dhe interesat e Amerikës”, do të mbështetet tek miqtë dhe aleatët, dhe do të luajë rolin e avokatit për të varfërit dhe të dobëtit.

Ambasadorja Craft i njeh Kombet e Bashkuara në Nju Jork, ku ka qëndruar si delegate në Asamblenë e Përgjithshme, e dërguar në 2007 nga presidenti Bush, raporton DW.

Ajo u emërua nga Presidenti Trump në postin e ambasadorit të OKB në shkurt të këtij viti. Kur morri këtë emërim, Craft ishte duke mbajtur postin e ambasadores amerikane në Kanada.

Craft është e martuar, ka gjashtë fëmijë dhe është gjyshe e njëmbëdhjetë nipërve dhe mbesave.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re