Deputetja e Partisë Demokratikepart ka deklaruar se largimi i trurit emigrimi i individëve me arsim të lartë nga vendi i tyre, është një sfidë që duhet të përballemi drejtpërdrejt nëse duam të ndërtojmë një të ardhme të suksesshme dhe të qëndrueshme.

Studentet-e-mjekesise-ne-proteste--scaled

Duke iu referuar nismës së qeverisë për të ndaluar diplomimin e studentëve të Mjekësisë në rast se nuk kanë punuar tre vite në Shqipër, Bano tha se se këto janë përpjeke për të arnuar dështimet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie për të krijuar terren të përshtatshëm për të rinjtë që të lulëzojnë në vendin e tyre.

“Një familje shqiptare shpenzon mesatarisht 5 milion e pesëqind mijë lekë në vit që fëmija të arsimohet në një universitet që nuk plotëson kushtet minimale. A e dini sesa familje kanë marrë kredi që të ushqejnë fëmijët e tyre?

Nuk keni se nga ta dini se fëmijët tuaj arsimohen jashtë me tenderat që ju vidhni nga këto familje”, deklaroi Bano.

Deklarata e plotë

Po jetojmë në një kohë ku ka lindur nevoja për të trajtuar një çështje të mprehtë që po e vuajmë si komb dhe që rrezikon të ardhmen tonë. Po flas për plagën e njohur dhe të vjetër të largimit të trurit. Largimi i trurit, emigrimi i individëve me arsim të lartë nga vendi i tyre, është një sfidë që duhet të përballemi drejtpërdrejt nëse duam të ndërtojmë një të ardhme të suksesshme dhe të qëndrueshme.

Përpjekjet për t’a arritur këtë nuk mund të orientohen drejt politikave detyruese dhe absurdeve të pjella nga fantazia e një qeverie të dështuar. Këto propozime që vijnë si rrufe në qiell të hapur janë përpjeke për të arnuar dështimet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie për të krijuar terren të përshtatshëm për të rinjtë që të lulëzojnë në vendin e tyre.

Në datën 24 tetor 2022 Edi Rama deklaroi se nuk do të jetë e mundur më për mjekët e rinj që të largohen nga Shqipëria sipas dëshirës së tyre duke u mohuar të drejtën për të marrë diplomën në mënyrë arbitrare.

Po sipas tij, këta mjekë e thanin shtetin nga taksat dhe më pas iknin në Gjermani apo në vende të tjera.

Në asnjë moment mesa duket nuk i paska shkuar mendja Kryediktatorit që këta të rinj ikin pikërisht sepse kjo qeveri nuk i ofron asnjë zgjidhje për kushtet ekonomike, kushtet e punës apo dhe zhvillimin e mëtejshëm profesional.

Normal që jo sepse ndryshe me çfarë do të paguhen aferat korruptive si inceneratorët apo tenderat e ndryshëm e të dyshimtë që qeveria bën.

Për këdo që papritmas shqetësohet për taksat që shkojnë për këta të rinj të cilët i hyjnë rrugës së dijes, duhet të reflektojnë pa hipokrizi dhe pa standarde të dyfishta të mendojnë pse taksat që paguhen nuk shkojnë për përmirësimin e kushteve të universiteteve? Pse këto taksa nuk përdoren për përmirësimin e kushteve të punës së mjekëve në të gjithë Republikën e Shqipërisë?

Pse askush nuk u shqetësua për 400 milionë euro taksa të shkuara për inceneratorët, por papritmas shqetësohen për taksat që shkojnë për zemrën dhe mendjen e vendit?

Në datën 16 qershor Ministrja e Arsimit dhe Sportit së bashku me ministren e Shëndetësisë, rektorin e Universitetit të Mjekësisë Tiranë, me urdhër të Kryediktatorit Rama, filluan ti zënë pritë studentëve duke ju treguar se tashmë ata nuk do të ishin të lirë që të gëzonin të Drejtat e Njeriut, të cilat mbrohen nga Kushtetetuta dhe nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.

 

Sipas tyre të rinjtë që mbarojnë studimet për mjekësi, nëse nuk do të firmosnin një kontratë me këtë universitet për të shërbyer 3 vite pas diplomimit, ata do të paguajnë rreth 5,500 euro në vit tarifë këtij universiteti, shpenzim që sipas ministreve dhe rektorit janë shpenzime që shpenzohen si kosto reale për një student në vit.

Në analizën që Partia Demokratike në bashkëpunim me eksponentë të ndryshëm përfaqësues të studentëve si dhe ekspertë ligjorë kemi konstatuar disa pika që janë në kundërshtim me kushtetutën, ligjet dhe konventat ndërkombëtare.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 57, pika 1, garanton aksesueshmëri të barabartë në arsim. Ky propozim i pashkruar bie në kundërshtim me këtë pikë sepse krijon hapësira për mundësi jo të barabarta në arsim duke detyruar studentët me mundësi të paketa ekonomike t’i nënshtrohen një kontrate që detyrohen të firmosin të detyruar nga mundësitë e tyre ekonomike të limituara.

Neni 4 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut citon se është e ndaluar skllavëria apo puna e detyruar.

Në Protokollet shtesë të kësaj Konvente, Neni 2 thotë se askujt nuk mund ti mohohet e drejta për arsim.

Protokolli numër 4 i kësaj konvente thotë gjithashtu në Nenin 1 se askujt nuk mund t’i hiqet liria për arsyen e thjeshtë, se nuk është në gjendje të përmbushë një detyrim kontraktor, ndaj mjaft me kërcënime për të rinjtë tanë.

Neni 2 siguron lëvizjen e lirë të të gjithë individëve por sipas Ramës, jo nëse je student mjekësie.

Së dyti ligji për Arsimin e lartë garanton në Nenin 4 për “Të drejtën për arsim”, pika 1 dhe pika 2, të drejtën për arsim të lartë për të gjithë, duke theksuar në pikën 2 se: “Shteti garanton arsimimin edhe për individët që plotësojnë kriteret e pranimit në një program të studimeve, por që nuk kanë mundësi ekonomike për t’i përballuar ato”.

Refreni i përsëritur i Ramës për taksat e shpenzuara për këta të rinj është pa bazë. E vërtetë që ne paguajmë taksa, madje me shumë sesa do duhej, por ato taksa nuk shkojnë vetëm për të rinjtë e mjekësisë. Ato supozohet që të shkojnë për shërbime të ndryshme dhe pse qeveria i çon për afera korruptive e ndaj tani përkon që të vjelë edhe frymën e fundit nga familjet shqiptare.

5,500 euro. 5,500 euro ose dhunë psikologjike dhe ekonomike ndaj të rinjve tanë.

Për një të ri që regjistrohet për herë të parë, në fund të 6 viteve nëse duan të ikin menjëherë, duhet të paguajnë 33 mijë euro.

A ja vlen të paguash 33 mijë euro për të studiuar në Fakultetin e Mjekësisë kur ata nuk kanë as godinë për studentët e mjekësisë?

Universiteti i Zojës së Këshillit të Mirë e ka tarifën 4,500 euro. Aty ka kushte shumë herë më të mira sesa tek Universiteti i Mjekësisë dhe gjithashtu merr Diplomë të njësuar në Itali. A ja vlen 5,500 euro për në shtet kur nëse është puna për të ikur jashtë, tek universiteti privat të kursen dhe sorollatjen që të duhet kur ikën jashtë?

Çfarë meriton një student që detyrohet që të paguajë 5,500 euro në vit për studime? A meriton që të mos ketë as një bibliotekë të dedikuar? A meriton që të mos ketë ambiente studimi? A meriton që të mos ketë as një laborator për studim? A meriton që të trajtohet si një “mish i huaj” ku shkon për të bërë praktikën në QSUT? Dhe po flasim për një praktikë që nuk është e mirë koordinuar dhe që as nuk i jepet rëndësi. A meriton ky student që paguan 5,500 euro në vit kur e vetmja gjë që merr është një kartë studenti e cila të vetmin funksion që ka është të marri me gjysmë çmimi abonenë e autobusave? Kjo është turpi më i madh. Nuk është dëshira e të rinjve për një jetë më të mirë.

Protesta e vitit 2018 prodhoi atë që u quajt “Pakti për Universitetin”. U premtua për studentët ndërtimi i një kampusi universitar i cili deri më sot, 5 vite më vonë ka mbetur një projekt në letër, një premtim bosh ashtu si shumë premtime të tjera të cilat nuk u vunë kurrë në zbatim.

Po t’u referohemi kushteve ekonomike të familjeve shqiptare që nuk janë pjesë e përqindjes së vogël të oligarkëve dhe hajdutëve që furnizojnë qeverinë aktuale do të kuptojmë se ҫmimet e propozuara nga ministret për studentët e mjekësisë janë të parealizueshme.

Një familje shpenzon mesatarisht 550 mijë lekë në muaj për një student.

150 mijë për akomodim, mesatarisht 250 mijë lek për ushqim, 100 mijë lek për vesh-mbathje dhe 50 mijë lek për librat e ndryshëm që ju duhen për studim. Mos të harrojmë 450 mijë lekë në vit për tarifën aktuale të arsimit pa marrë parasysh ndryshimet sipas paktit të universitetit.

Një familje shqiptare shpenzon mesatarisht 5 milion e pesëqind mijë lekë në vit që fëmija të arsimohet në një universitet që nuk plotëson kushtet minimale. A e dini sesa familje kanë marrë kredi që të ushqejnë fëmijët e tyre?

Nuk keni se nga ta dini se fëmijët tuaj arsimohen jashtë me tenderat që ju vidhni nga këto familje.

Qeveria vazhdon e pretendon se këta të rinj ju kanë borxh kur ndërkohë ju i keni borxh atyre dinjitetin dhe arsimin e munguar. Dhe jo vetëm atyre por duhet që t’u kërkoni falje dhe familjeve të tyre për sakrificën që ata bëjnë që të shkollojnë fëmijët.

Neni 114, Ligji për Arsimin e Lartë, parashikon marrjen e kredive studentore dhe Ministria e Arsimit përcakton skemat të cilat aplikohen. Asnjë informacion nuk ka për këto kredi dhe asnjë parashikim nuk u bë nga ministrja e arsimit gjatë deklaratës së saj në prani të studentëve. Si do ta garantojë ministria aplikimin e kësaj skeme në rast se vendos t’a ҫojë përpara këtë propozim absurd?

Neni 109 për Burimet e financimit të IAL-ve parashikon mundësitë e financimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë. Nga 6 pika vetëm njëra parashikon financimin e universitetit nga tarifat studentore. Pikat e tjera janë inekzistente dhe nuk ka asnjë të dhënë nëse universiteti i mjekësisë ka të ardhura nga donacione apo nga pika dh) veprimtari e kërkimit shkencor.

Pse universiteti nuk gjen mënyra për të promovuar zhvillimin e kërkimit shkencor për të rritur të ardhurat e tij, por detyron studentët të paguajnë tarifa qesharak.

Neni 108 i ligjit të arsimit të lartë për Autonominë financiare të IAL-ve, pika 2 parashikon një plan buxhetor afatmesëm dhe plan strategjik të zhvillimit të institucionit, planë të cilat do të kërkohen të vihen në dispoziocion për të vlerësuar nëse këto plane parashikojnë ndryshimet e propozuara nga ministria.

Cfarë po u ofroni mjekëve të sapodiplomuar? Situata bëhet edhe më e rëndë me rastin e specializimeve. A e dini se dhe ata specializantë që rrinë këtu, ju nuk i siguroni punë? A e kuptoni se dëmi që po bëni është i madh dhe i parikuperueshëm?

Shembull konkret nga Kardiokirurgjia në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Terza! Konkretisht në repartin e Kardiokirugjisë janë 9 kardiokirurgë në shërbim. Ndërsa specializantë në total janë 12.

A e dini se këta specializantë nuk paguhen asnjë lekë dhe më e pafalshmja është se specializantët që mbarojnë 5 vitet e specializimit, mbeten pa punë dhe vetëm më një mundësi, ose ikjen, ose punësimin në privat?

Aktualisht në QSUT, janë 2 specializantë të cilët kanë përfunduar 5 vitet e specializimit. 4 specializantë janë në vitin e pestë. 1 specializant në vitin e dytë. 5 specializantë në vitin e parë.

2 specializantët që kanë mbaruar 5 vitet dhe të gjithë të tjerët që po vazhdojnë specializimin, nuk e dinë nëse në fund do të punësohen apo jo në QSUNT.

Pse Ministria e Shëndetësisë nuk hap një shërbim të tillë në Fier, Shkodër, Elbasan, apo edhe Korçë?

Një kardiokirurg, sipas burimeve të mia, bën minimumi 2 operacione në ditë përfshirë urgjencat në QSUNT. Përse Ministria nuk zgjeron shërbimi edhe në qytete të tjera, ose pse nuk hapen vende të reja pune? Këta të rinj që shteti shqiptar i specializon për 5 vite, pse nuk i punëson?

Ja pra sesa absurde është situata në gjithë sistemin shëndetësor. Në të njëjtin sistem që ju doni që të detyroni të rinjtë që të rrinë më zor. A nuk është ky një turp shumë i madh?

Ju po i trajtoni të gjithë studentët si të jenë kriminelë.

Problemi nuk është tek studentët që kërkojnë më të mirën për veten e tyre por tek ky sistem i dështuar që keni krijuar me keq menaxhimin tuaj dhe që dëgjoni një të çmendur që keni në krye e jo ekspertët e fushës.

Nuk mund të mbahet truri i një vendi me gjoba 33 mijë euroshe dhe as me kërcënime apo me presione të ndryshme. A e keni marrë mundimin që të dëgjoni një student të mjekësisë me çfarë vështirësish përballet? Po pyes për dëgjesa tamam e jo si ato që bëni ju duke i sulmuar e duke ju zënë pritë në takime të stisura.

Unë si anëtarë e Kuvendit dhe e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e informimit Publik i bëj thirrje publike Ministres së Arsimit, asaj të Shëndetësisë, Rektorit të Universitetit për të ardhur dhe për të dhënë shpjegime mbi këtë marrëzi. Nuk mund të vazhdohet që të luhet me fatin e studentëve dhe me të ardhurat e familjeve shqiptare.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re