Tri aspirata renditi Dan Koski, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA-së, për juristët e rinj të Shqipërisë. Koski mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të Fakultetit Juridik të Tiranës, ku kërkoi nga ata që do të jenë nesër njerëzit e drejtësisë në Shqipëri, që të përballen dhe të luftojnë me korrupsionin.

Zyrtari amerikan theksoi se për puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj nuk do të jetë e lehtë, megjithatë, ai kërkoi prej tyre që të demaskojnë korrupsionin dhe ta nxjerrin atë në dritë që ta shohin të gjithë.

Pjesë nga fjalimi i Dan Koskit

Të diplomuar, ndërsa i afroheni çastit kur do të lëvizni fjongot tuaja nga e djathta në të majtë, ju kërkoj të mendoni për këtë pyetje: Cila është e ardhmja që dëshironi të ndërtoni për veten?

Shpresoj ta ndërtoni duke patur në mendje këto tri aspirata:

Së pari, shpresoj të jeni faktorë ndryshimi për forcimin e integritetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Por, dijeni, se puna juaj nuk do jetë e lehtë. Korrupsioni është gjithandej dhe fshihet në vendet më pak të dyshimta. Ju bëj thirrje që të bëheni pjesë e një brezi të ri që kundërshton korrupsionin kudo që ta shihni.

Dhe, ju sfidoj që të bëheni të guximshëm. Demaskojeni korrupsionin dhe nxirreni atë në dritë që ta shohin të gjithë. Kthejeni veten në mbrojtës të një sistemi etik drejtësie dhe heronj të atyre që ai u shërben.

Së dyti, shpresoj të përkushtoheni çdo ditë për të nderuar veten, profesionin tuaj dhe bashkëqytetarët tuaj, ndërsa ndihmoni në ndërtimin e një sistemi drejtësie më të mirë për vendin tuaj. Përdoreni optimizmin dhe energjinë tuaj për ta bërë sistemin më të mirë.  Rrënjoseni veten tuaj në integritet, nder dhe etikë dhe luftoni për gjithçka që është e drejtë. Ju, kolegët tuaj dhe vendi juaj nuk meritoni asgjë më pak.

Në fund, shpresoj të merrni forcë dhe guxim nga profesionistët e nderuar dhe parimorë përreth jush që kanë nevojë për ju për t’u bashkuar me ta në këtë luftë për të ardhmen e vendit tuaj. Kërkoni partnerë të besuar në ligjzbatim dhe agjenci të tjera për të mbështetur përpjekjet tuaja fisnike.

Ata janë atje, duke ju pritur. Dhe dijeni që Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të qëndrojnë me ju për sa kohë ju përkrahni një sistem gjyqësor transparent dhe etik. Mbështetja jonë për atë kauzë dhe për ata që na bashkohen në çuarjen e saj përpara, nuk do të lëkundet kurrë dhe nuk do të dobësohet asnjëherë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re