Të tjera dëshmi prekëse vijnë nga të mbijetuar të aksidentit tragjik që ndodhi dje në Kroaci.

Ramë Gashi dhe gruaja e tij Kada, janë dy të mbijetuarit e aksidentit, ku deri më tani janë konfirmuar 10 viktima.

Media kroate “Jutarnji List” ka zbardhur dëshminë e Ramë Gashit, i cili tregon se i kishte kërkuar gruas të udhëtonin me avion, por ajo kishte këmbëngulur që të niseshin drejt Kosovës me autobus.

“Udhëtimi ishte i këndshëm, madje argëtues, dhe ne ramë në gjumë vetëm rreth orës 05:00, sepse ishin disa të rinj që kënduan dhe u gëzuan gjithë natën.

Sapo kisha fjetur dhe papritmas dëgjova si disa të shtëna që më zgjuan. Për një sekondë gjithçka u kthye në tmerr.

Sapo pashë veten duke fluturuar poshtë, sendet po binin mbi ne, ulëset ishin thyer, njerëzit po shtrëngonin duart e tyre, unë papritmas kuptova se një grua poshtë meje kishte vdekur”, tregoi Ramë Gashi.

“Pastaj po kërkoja gruan time dhe kur e gjeta dola dhe ndihmova të tjerët. Sepse isha mirë fizikisht dhe shpejt e kalova tronditjen fillestare, duke u ardhur në ndihmë të tjerëve”, shpjegoi Ramë Gashi.

Gruaja e tij dhe ai udhëtuan nga Mannheim, dhe destinacioni i tyre i fundit ishte Mitrovica.

Ata po vinin për pushime. “Unë as që doja të shkoja, por ajo më tha se do të merrnim autobusin.

Doja me avion, sepse fluturimi ynë nga Shtutgarti në Prishtinë do të zgjaste 1 orë e gjysmë, por ajo këmbënguli që të shkonim me autobus. Këtë nuk do ta harroj kurrë”, shprehet ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re