Udhëheqësi i Laburistëve Jeremy Corbyn, ka kërkuar falje për humbjen e rëndë të partisë së tij në zgjedhjet parlamentare në Mbretërinë e Bashkuar përballë Konservatorëve me Boris Johnsonin, disfatë e cila nuk ishte parë që nga viti 1935.

Ish-aktivist sindikalist, ai është fajësuar si tepër i majtë, me paaftësi për të luftuar antisemitizmin e disa anëtarëve të partisë dhe paqartësi rreth temës kryesore, atë të Brexit, e cila u refuzua nga një numër i madh i votuesve.

“Më vjen keq….Unë personalisht marr përgjegjësinë për këtë,” tha ai në një letër të hapur të botuar në Sunday Mirror, pas katastrofës zgjedhore. Laburistët fituan vetëm 203 vende nga 650 në Dhomën e Përfaqësuesve.

Jeremy Corbyn vuri në dukje se partia e tij do të nxjerrë “mësime nga kjo humbje” duke premtuar “të dëgjojë më mirë votuesit tradicionalë”.

Qëndrimi i tij i vendosur majtas frikësoi qarqet financiare që e panë atë si një marksist të rrezikshëm, i cili është sinonim i kaosit ekonomik, thekson AFP.

“Shikoni çfarë ndodh kur njëra palë shkon aq larg majtas”, paralajmëroi kandidati demokrat në zgjedhjet presidenciale të SHBA, Joe Biden.

Jeremy Corbyn ka premtuar të largohet në fillim të vitit të ardhshëm, pas një periudhe “diskutimesh” në parti.

Humbja e tij historike i vendos laburistët në një pozicion për të zgjedhur: nëse do të qëndrojnë majtas apo të kthehet në demokracinë sociale të Tony Bler – komentojnë disa media.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re