Në ambientet e sallës së Këshillit Bashkiak u zhvillua paraditen e kësaj të mërkure dëgjesa publike me grupet e interesit dhe pjesë të shoqërisë civile për Draft Planin e Përgjithshëm Vendor të Durrësit dhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor të tij.

“Në prezantim morën pjesë dhe përfaqësues të Autoritetit Portual Durres për të sqaruar mbi projektin në zhvillim të portit të Durrësit dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit”,- njofton bashkia.

Megjithëse ishte një dëgjesë publike, mediet nuk u lejuan të ishin të pranishme dhe kjo nuk është hera e parë.

Pasi e ka bërë rrugë që mbledhjet e Këshillit Bashkiak të zhvillohen në mungesë të plotë transparence, (pasi me justifikimin e situatës së pandemisë mbledhjet zhvillohen vetëm online), bashkia “zgjedh” të përjashtojë mediet edhe nga një dëgjesë publike.

“Të pranishmit janë njohur si dhe kanë zhvilluar diskutime rreth këtij plani të përgjithshëm vendor.”- thuhet ndër të tjera në njoftimin e publikuar në faqen e bashkisë.

Mesa kuptohet, vetëm një grup i vogël njerëzish, të përzgjedhur nga vetë bashkia, kishin të drejtën të informoheshin dhe diskutonin mbi detajet e Planit të Përgjithshëm Vendor dhe për më tepër projektit për portin më të madh në vend.

Në një kohë, kur nga qeverisja qendrore kanë vërshuar në Durrës projekte të larmishme me video 3D, për të cilat jepen shumë pak detaje mbi kostot, afatet e përfundimit, studimet e zhvilluara mbi impaktin që do të kenë në ekonomi dhe jetën e qytetit, bashkia e qytetit bregdetar zgjedh të mbajë në errësirë të plotë qytetarët, të cilët do të jenë përfituesit apo dhe ata që do të vuajnë drejtpërdrejt pasojat e projekteve që propagandohen se do ta transformojnë Durrësin.

Diskutimi i planeve vendore apo projekte në grupe të vogla, ekspertësh apo jo, me një urgjencë të çuditshme dhe fare pak kohë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme lë një shije të hidhur.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re