Dita Botërore e Obezitetit  është një fushatë globale e cila shërben për të rritur ndërgjegjësimin, promovimin e avokacisë, përmirësimin e politikave dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e obezitetit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, obeziteti është trefishuar që nga viti 1975 dhe është rritur pothuajse pesë herë tek fëmijët dhe adoleshentët, duke prekur njerëzit e të gjitha moshave, grupeve sociale, si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim.

Obeziteti ose sëmundja e obezitetit (siç quhet sot), përbën shqetësim global, prandaj në shumë vende me këtë problem po merret seriozisht e gjithë shoqëria, me të gjitha mekanizmat e saj.

Cilat janë pasojat e mundshme?

Për të ilustruar pasojat s’ka nevojë për komente. Mjaftojnë kronikat televizive të plazheve, ku mund të shihni sa shumë fëmijë e adoleshentë barkmëdhej e me trup të deformuar. Dhjamosja bart rreziqe për të gjitha moshat, duke filluar nga muajt e parë të jetës.

Nëse fillon në moshat e vogla, fëmija mund të ketë:

  • probleme me rrugët e frymëmarrjes, si mahisje më të shpeshta
  • vështirësi në frymëmarrje ose “sikur mbyten”, sidomos gjatë natës
  • deformime të anësive, marrin formë “X”
  • dhimbje kyçesh
  • dystaban
  • vështirësi për të lëvizur
  • mund të mbetet i dhjamosur dhe në vitet që pasojnë
  • Rreziqe të tjera për çdo moshë
  • Diabet
  • Rritje të tensionit të gjakut
  • Sëmundje të zemrës dhe të enëve të gjakut
  • Rritje të yndyrnave në gjak
  • Në vajzat, vonesë dhe çrregullime të ciklit mestrual
  • Ciste në ovare
  • Gurë në tëmth (kolelitiazë)

Probleme psikologjike. Duke u bërë objekt ngacmimesh prej moshatarëve, largohen prej tyre -preferojnë më mirë të qëndrojnë në shtëpi. Të shkëputur nga lodrat, kënaqësinë e gjejnë në të ngrënët, çka thellon shtimin e peshës.

Si mund të parandalohet?

Kujdesi duhet të fillojë qysh në muajt e parë të jetës. Në fëmijët pa gji të respektohet me përpikmëri përgatitja e qumështit, sipas moshës.

Kur fillohen ushqime të tjera jo me bazë qumështi (aty rreth moshës 5-6 muaj), të pakësohet qumështi (shpesh, duke mos e vlerësuar si ushqim e burim kalorish të tepërta, vazhdon të jepet si më parë).

Jepuni fëmijëve lëngje frutash të përgatitura vetë, pa shtuar asnjëherë sheqer.

Për moshat në vazhdim

-Të pakësohen produktet me shumë kalori, në radhë të parë ato me bazë miellrash, duke shtuar më tepër perimet.

-Të kufizohen gjithashtu ëmbëlsirat, çokollatat, karamelet dhe të gjitha lëngjet e sheqerosura.

-Në fund të ushqimit, në vend të ëmbëlsirave, fruta ose lëngun e tyre pa sheqer.

-Zëvendësoni akulloret e zakonshme me akullore frutash.

-Yndyrnat (vaji, gjalpi, llarda, margarina etj) kanë shumë kalori, prandaj duhen kufizuar.

-Lërini fëmijët të hanë  sipas dëshirës (nevoja për ushqim, organizmi i rregullohet vetë).

-Kthejini aktivitetet fizike në një mjet argëtues për të gjithë pjesëtarët e familjes.

-Nxisni ecjet në këmbë, shëtitjet, lojërat në mjedise të hapura.

-Nëse keni ashensor, është mirë të përdorni shkallët, të paktën pjesërisht.

-Biçikleta këshillohet për të gjithë fëmijët (më mirë në grup).

-Kush ka një qen, detyrohet ta nxjerrë për shëtitje, një shkak që fëmija të lëvizë, por edhe të largohet nga televizori e kompjuteri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re