Në Shqipëri u regjistruan sivjet një numër më i vogël personash të infektuar rishtas me HIV-AIDS.

Mjekët dhe veprimtarët e kësaj fushe pohojnë se mjekimet janë marrë rregullisht, megjithëse sistemi shëndetësor iu përkushtua më shumë përballimit të epidemisë së re të Covid-19.

Dita Ndërkombëtare kundër HIV/AIDS e gjeti Shqipërinë me një numër më të ulët të prekurish, por një pjesë e madhe e tyre u zbuluan në fazën e fundit të sëmundjes.

Përfaqësuesja e shoqatës së familjarëve te personave me HIV / AIDS, Olimbi Hoxha, është njëherësh edhe drejtuese e Unionit të Shoqatave të Personave me Sëmundje Kronike.

Ajo thotë se sivjet vëmendjen kryesore të sistemit shëndetësor e mori epidemia Covid-19 dhe spitali infektiv, që kryesisht shërbente kundër AIDS u shndërrua në spital Covid1 dhe pacientët u zhvendosën në klinika të tjera.

“Shërbimet bazike ditore të trajtimit me medikamente dhe testime rutinë që bëhet për diagnozën e HIV vazhduan të ofroheshin me kohë të plotë dhe me personel të plotë në klinikën ambulatore. Mjekët infeksionistë që kishin nën mbikëqyrje pacientët me HIV pozitiv në kohën që u mbetej pasi trajtonin pacientët me Covid e shfrytëzonin për të ndihmuar pacientët me HIV dhe për këtë kanë një falenderim të madh nga ata” – tha zonja Hoxha.

Epidemia Covid-19 thotë zonja Hoxha tregoi se sa e rëndësishme është ofrimi i shërbimeve për komunitetin nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat janë më pranë pacientëve.

Prandaj ato kërkojnë vazhdimi i mbështetjes së organizatave të shoqërisë civile të cilat ofrojnë shërbime mbështetëse për personat e diagnostikuar si dhe shërbime për parandalimin e përhapjes së HIV.

Zonja Hoxha thotë se kufizimet që u vendosën për pandeminë ndikuan në një jetë më të mbyllur për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

“Problematike ka qenë mbyllja që soli një shkelje të të drejtave të njeriut, por thelbësore është që duhet të mbizotërojë e drejta për shëndet. Ne nuk duhet të cënojmë në asnjë mënyrë të drejtën për shëndet, që ka ky target- grup pavarësisht situatave me Covid apo pa Covid” – tha zonja Hoxha.

Për këtë vit vazhduan rregullisht pa ndërprerje, terapitë për HIV, vetëm se u përqëndruan në Tiranë dhe jepeshin për 3 muaj, por në pjesë e pacientëve nuk mundën të bënin kontrollin rutinor të përvitshëm.

“Alarmi që ngrihet është që ne nuk duhet ta stopojmë ndikim që kemi patur deri tani te pandemia e HIV-it, por njëkohësisht nuk duhet të bëjmë hapa prapa. Në momentin që ne ndërpresim financimin, ndërpresim shërbimet komunitare, ndërpresim aksesin me terapi, atëherë ne kemi bërë hapa prapa dhe i kemi hapur rrugën një pandemie që ka 35 vjet që dominon shëndetin publik në botë” – thotë zonja Hoxha.

Tashmë mbetet për tu matur edhe ndikimi i COVID mbi komunitetin e personave me HIV AIDS në aspektin shëndetësor dhe psikologjik, ndaj ata u kërkojnë autoriteteve shëndetësore bashkëpunim, solidaritet dhe shërbim të vazhdueshëm.

Veprimtarë thonë se një testim më i shpeshtë për HIV mund të zbulonte më shumë raste dhe mund t’i zbulonte në fazë më të hershme dhe më të lehta për mjekim.

Sipas statistikave të INSTItutit të Shëndetit Publik, Shqipëria ka rreth 1 mijë e 400 persona të prekur me HIV nga të cilët 1 mijë janë meshkuj, dhe 46 janë fëmijë.

Këtë vit u zbuluan 81 raste të reja me HIV, pjesa më e madhe (57) meshkuj në raportin 2 me 1 me femrat./ VOA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re