Ky vit ka shënuar një shifer alarmante prej 15 vdekjesh nga HIV/AIDS. Dita Botërore e sëmundjes e gjen Shqipërinë me 1716 të infektuar në total dhe 113 raste të reja, nga këta 87 meshkuj dhe 26 femra. Ministria e Shëndetësisë bëri thirrje për sa më shumë testime ndërsa problematike shihet mungesa e informimit të të rinjve në shkolla. 

Tirane- Mes 15 personave të infektuar me HIV/AIDS të cilët humbën jetën në vitin 2023 nga virusi, 8 janë raste të reja, përfshirë edhe dy fëmijë. Kryetarja e shoqatës e konsideron shqetësues numrin e fataliteteve duke drejtuar gishtin te mungesa e testimeve.

Kemi 15 humbje jete nga të cilat 8 janë raste të diagnostikuara këtë vit. Pra 1 në 10 raste të diagnostikuar këtë vit kanë përfunduar në fatalitet, çka është një sirenë alarmi. Nuk mund të vdesë një njeri nga HIV në 2023 nëse kemi programe funksionale dhe fillon terapia në diagnozë të hershme”, tha Olimbie Hoxhaj, kryetare e Shoqatës së pacientëve me HIV/AIDS

 

Raporti i pacientëve me HIV/AIDS mes burrave dhe grave është 70-30%, ndërsa ekspertët thonë se Shqipëria ka një përhapje të ulët të virusit në krahasim me vendet e tjera. Megjithatë jetike është nevoja e testimeve.

Do duhet që të punojmë më shumë kur vjen puna te testimet dhe mënyra se si i shërbehet këtyre  pacientëve” u shpreh Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Me qëllim ndërgjegjësimin sa më të madh, një nga të prekurit apeloi për shmangien e ndrojtjes në raportimin e këtyre rasteve. Problemi shihet dhe te mungesa e informimit të të rinjve në shkolla lidhur me virusin HIV/AIDS.

Mjeku Roland Bani thotë se zbulimi i të prekurve jo vetëm shkëput zinxhirin e infeksionit, por i krijon atyre mundësi për trajtime të nevojshme./Shqiptarja.com

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re