Dita botërore kundër SIDA-s/ Sëmundja ka marrë mbi 36 milionë jetë njerëzish

world-aids-day-1200.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

1 Dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare kundër HIV/AIDS, që kërcënon botën, ndërsa mjekësia vazhdon punën për zbulimin e ilaçeve dhe metodave efikase për trajtimin e sëmundjes.

AIDS-in e shkakton virusi HIV, që dëmton dëmton sistemin imunitar të njeriut, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj infeksioneve të rënda. Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion lidhur me situatën e kësaj pandemie dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin ndaj HIV/AIDS-it në të gjithë botën.

Sipas OKB-së, 37.7 milionë njerëz në mbarë botën ishin me HIV në vitin 2020, ndërsa 680,000 vdiqën nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n në të njëjtin vit.

Që nga fillimi i shpërthimit të HIV, rreth 79.3 milionë njerëz janë infektuar me HIV dhe 36.3 milionë kanë vdekur nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n.

Nga 37.7 milionë njerëz që ishin me HIV në vitin 2020, 36 milionë ishin të rritur, 53% ishin gra dhe vajza dhe 84% ishin në dijeni për gjendjen e tyre.

Vdekjet e lidhura me SIDA kanë rënë me 64% që nga kulmi në 2004 dhe me 47% që nga viti 2010.

Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it u propozua fillimisht në muajin gusht të vitit 1987 nga Thomas Netter dhe James W. Bunn, të dy zyrtarë të informimit publik për Programin Global të HIV/AIDS-it në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në Gjenevë.

Ata kishin ndarë idenë e tyre për ditën e HIV/AIDS-it me Dr. Jonathan Mann (Drejtor i Programit Global të HIV/AIDSit), i cili e kishte miratuar idenë dhe rekomandoi respektimin e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS-it më 1 dhjetor të vitit 1988.Kombet e Bashkuara kanë ngritur një Program të Përbashkët për HIV/AIDS-in, i njohur si UNAIDS.

Programi filloi veprimtarinë në vitin 1996 duke promovuar në mbarë botën aktivitete të lidhura me HIV/AIDS-in. Në vitet e para, temat e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS-it ishin fokusuar vetëm te fëmijët dhe të rinjtë. Nga viti 1998 e deri më sot, Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it organizohet nën slogane të ndryshme.Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it simbolizohet nga fjongoja e kuqe, simboli global i solidaritetit me njerëzit HIV pozitiv dhe ata që jetojnë me AIDS.

Ideja për krijimin e një simboli global në luftën kundër HIV/AIDS-it lindi në fillim të vitit 1991 në Nju Jork. Ky është një simbol për solidaritet dhe tolerancë për njerëzit që jetojnë me HIV/AIDS dhe që shpesh diskriminohen nga publiku.Në Evropë simboli i fjongos së kuqe përkoi fillimisht me të Hënën e Pashkëve të vitit 1992, kur më shumë se 100.000 fjongo të kuqe u shpërndanë gjatë koncertit ndërgjegjësues të Fred Mërkurit në stadiumin Wembley të Londrës. Po këtë ditë u themelua Fjongoja e Kuqe Internacionale në Londër. Fjongoja e kuqe bashkon njerëzit në luftën e përbashkët ndaj kësaj sëmundjeje.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë