Naftëtarët e Ballshit kanë tentuar të hyjnë me forcë në uzinë në mbështetje të kolegëve të tyre që vijojnë grevën në ditën e 16-të. Ata janë përplasur me rojet e sigurisë të cilët kanë tentuar t’i ndalojnë. Në mbështetje të naftëtarëve sot ka dalë edhe Sindikata e Fermerëve. Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj deklaroi se kjo është një tallje e madhe për naftërarët që nuk kanë marrë përgjigje për kërkesat e tyre.

“Është një tallje e madhe. Naftëtarët kërkojnë të marrin librezat dhe të vijë pronari. Le të vijë pronari të japë librezat dhe të dalim edhe ne nga greva. Më paqësore se kaq çfarë mund të bëjmë më shumë ne. 16 ditë në grevë urie. Ne e prishëm grevën në shkurt se thonin se për tre muaj do të fillojë puna. Ku është puna. Nuk ka pronar këtu. Këtu janë vetëm 900 naftëtarët që janë lënë në mëshirë të fatit. Nuk kemi arsye të gjejmë ne se kush privat vjen këtu. Nuk janë naftëtarët problematikë këtu. Këta nuk vijnë të lënë të vdesësh”, tha Dautaj.

Ditën e sotme naftëtarët kishin planifikuar të bllokonin rrugën kryesore por për shkak të reshjeve të shiut, protesta e tyre është përqendruar përpara godinës së uzinës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re