Në ditën e dytë të garës me vela Brindisi-Vlorë, Marina Orikum është thuajse në kapacitetin e saj të plotë, pasi ka mirëpritur varka me vela të madhësive të ndryshme, me një ekuipazh prej 300 velistësh. Falë pozicionit strategjik që ofron Marina, velistët po shijojnë brigjet e Vlorës me gjithçka që ofron qyteti, Llogaranë, Kalanë e Kaninës etj.

 

Vizion Plus po ndjek nga afër këtë garë dhe ka marrë përshtypjet dhe emocionet e protagonistëve, që në këtë vit të 2-të të aktivitetit janë dyfishuar në numër. Ky fakt është dëshmi e besueshmërisë së eventit, por edhe e shërbimeve që ofron Marina Orikum.

 

Presidenti italian i federatës së velave thotë se sporte apo evente të tilla i shërbejnë turistit, por sipas tij, ka nevojë për thjeshtim procedurash.

 

ALBERTO LATEGOLA

 

PRESIDENTI ITALIAN I FEDERATES SE VELAVE

 

“Për ne velistët italianë është një kënaqësi të vijmë këtu në Shqipëri. Për mua është viti i dytë që marr pjesë dhe kjo është një garë e rëndësishme, pasi ka pjesëmarrës mbi 30 varka, me një ekuipazh prej 300 personash që vijnë nga Italia. Por velistët italianë janë mësuar me një standard kur zhvillohen gara të tilla ndërkombëtare, që është standardi i zonës Schengen, ku nuk hasin me procedura të gjata. Gjithçka është automatike, pasi jemi regjistruar më herët dhe nuk humbasim kohë. Ndërkohë që këtu në Shqipëri ndodh e kundërta. Por parë nga procedurat e një turisti, ky është një problem, pasi në marinë nuk kryhet ky shërbim si në çdo vend tjetër. Ju keni një vend të bukur dhe ne jemi të gatshëm të vijmë sërish, nëse procedurat do të ishin më të shpejta.”

 

Standardet e Marina Orikum, i vetmi port i këtij lloji në vendin tonë, janë faktorë që për herë të parë në këtë kompeticion të marrë pjesë edhe marina ushtarake italiane. Për komandantin e marinës, evente të tilla duhen stimuluar më shumë.

 

GUIDO PAGANELLI

 

KOMANDANT, MARINA USHTARAKE ITALIANE

 

“Për mua është hera e parë këtu në Shqipëri dhe është emocionuese, pasi ky konkurs sportiv zhvillohet në kujtim të eksodit të popullit shqiptar vite më parë, ndaj edhe quhet “Regata e kujtesës apo e miqësisë”. Udhëtimi shkoi mirë dhe mendojmë se do të renditemi në një pozicion të kënaqshëm. Ky event është dëshmi e lidhjes mes dy vendeve dhe ka rëndësi si për rajonin e Puglias, por edhe qeverinë shqiptare, pasi nesër do të mirëpresim presidentin e rajonit të Puglias dhe kryeministrin Edi Rama.”

 

Pasioni për sportin e lundrimit ka bërë pjesë edhe shumë velistë të tjerë në këtë garë, që rikthehet për të dytin vit me radhë në Marina Orikum, të cilët po eksplorojnë bukuritë e vendit tonë.

 

GIUSEPPE RICI

 

VELIST

 

“Ne vijmë këtu për të lundruar me varkë. Ne po lundrojmë me varkë edhe për shkak të afërsisë mes Puglias dhe Shqipërisë, për të kultivuar dhe për të sjellë më pranë dy vende. Ju keni vende shumë fantastike, zona shumë të bukura përreth, madje edhe kjo marinë është shumë e bukur së bashku me shërbimet që ofron. Ajo që ne mund të kërkojmë është edhe një thellësi më të madhe, për të ankoruar varka me përmasa më të mëdha.”

 

Gara e velave Brindisi-Vlorë pritet të kulmojë ditën e shtunë me ndarjen e çmimeve, ku pjesëmarrës do të jenë presidenti i rajonit të Puglias, kryeministri Edi Rama dhe personalitete të tjerë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re