Vazhdon ditën e dytë protesta e banorëve në fshatin Grizë të Patosit të cilët kundërshtojnë mbylljen e shkollës.

Prindërit dhe fëmijët janë kundër vendimit të Bashkisë e cila ka vendosur mbylljen e këtij institucioni për shkak se kjo godinë ka dëmtime fizike.

Autoritetet bëjnë me dije që fëmijët duhet të shpërngulen në një shkollë tjetër në Patos por familjarët janë tërësisht kundër pasi duhet të lënë punën që të shoqërojnë fëmijët e tyre për shkak të distancës së largët.

Gjithashtu ditën e sotme banorët kanë ndaluar autobusin që mbërriti për t’i marrë fëmijët që të shkojnë në një shkollë tjetër në Patos. Prej orës 08:00 banorë kanë marrë njoftim që do vijë autobuzi e bashkë me fëmijet nuk e kanë lejuar .

“Pse duhet ta mbyllin shkollën këtu, për një plasaritje duan që ti hedhin fëmijët tanë rrugëve. Pse duhet të shkojnë fëmijët në Patos? Janë 50 nxënës që po hidhen në rrugë. Unë nuk kam mundësi që ti ndjek fëmijët në Patos, shkolla nuk ka asnjë dëm. Ditën e fundit të shkollës këta do kujtohen që duhet rikosntruktuar godina, ne fëmijët i kemi shumë mirë këtu”, thotë një prind.

“Nuk besojmë se furgoni njëherë vjen njëherë nuk vjen, ne nuk kemi që t’iu japim lekë ditë për ditë. Ne nuk do ti heqim fëmijët nga shkolla, nuk është fare e rrezikshme”, u shpreh një banor tjetër.

Janë 40 nxënës dhe rreth 20 fëmijë që frekuentojnë këtë godinë e cila prej 1 jave është njoftuar se do të mbyllet, ndërsa banorët hedhin akuza se kjo godinë do t’i jepet privatit.

(O.M/Faxweb.al)

në Facebook, klikoni Join Group

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re