Sot është dita e dytë e samitit të NATO-s që po mbahet në Hagë të Holandës, ku marrin pjesë liderët dhe krerët e 32 shteteve anëtare. I pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama.

Fokusi do të jetë tek një sërë çështjesh të rëndësishme me të cilat përballet aleanca. Rritja e investimeve në mbrojtje, një kërkesë e parashtruar nga Donald Trump, është tema më e rëndësishme si edhe mbështetja ndaj Ukrainës, e cila po përballet me agresionin rus.

Në orën 08:30 është parashikuar mbërritja e liderëve, më pas në orën 09:55, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe presidenti amerikan do të mbajnë një deklaratë të shkurtër. Në orën 10:00, do të realizohet fotoja zyrtare, ndërsa gjysmë ore më pas, do të nisë mbledhja e Këshillit, ku do të jenë të pranishëm të gjithë liderët dhe krerët e shteteve anëtare.

Në ditën e parë të samitit, Sekretari i përgjithshëm Mark Rutte priti liderët e shteteve. Priti gjithashtu edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili shprehu bindjen se rruga e Ukrainës drejt NATO-s do të jetë e realizueshme ndërsa kërkoi mbështetje për mbrojtjen ajrore në luftën me Rusinë.

Kryeministri Rama u takua një ditë më parë me Rutte, ndërsa bëri me dije se diskutuan për Ballkanin Perëndimor dhe investimin në portin e ri të Durrësit, ku NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak, si edhe për përgatitjet e samitit të aleancës në 2027 në Tiranë.

Axhenda: 

08:30 – Mbërritja e liderëve
09:55 – Deklaratë e Mark Rutte dhe Donald Trump
10:00 – Foto zyrtare
10:30 – Mbledhja e Këshillit të Atlantikut të Veriut ku marrin pjesë të gjithë liderët dhe krerët e shteteve
14:00 – Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte pas mbledhjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko