Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh sot besimplotë se e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe rajonit nuk do të kompromentohen në asnjë lloj skenari.

“Stafeta jonë është në duar të sigurta, dhe këtu kam parasysh asetin tonë më të vyer kombëtar, gjeneratën e të rinjve të dhe të rejave që do ta lartësojnë më tej emrin, rolin dhe kontributin e Shqipërisë në familjen evropiane”, tha Xhaçka në një video mesazh me rastin e Ditës së Europës.

Xhaçka kujtoi se “71 vjet më parë Robert Schuman prezantoi deklaratën e tij historike ku propozohej krijimi i komunitetit europian të qymyrit dhe çelikut. Ishte një hap i guximshëm dhe largpamës të cilin Schuman dhe vizionarët e atij që sot e njohin si BE e ndërmorrën për të hedhur themelet e një bashkëpunimi politik dhe ekonomik bazuar mbi mirëkuptimin dhe solidaritetin, dëshirën dhe paqen afatgjatë për të rindërtuar së bashku Europën e dërrmuar nga lufta, në mënyrë që kontinenti të mos njihte më kurrë si më parë konflikte të përgjakshme”, tha ajo.

Sot, vijoi Xhaçka, “ajo ëndërr dhe ai vizion vazhdon edhe më aktual se kurrë më parë”. “Historia jonë e përbashkët na mëson se paqja dhe mirëqenia dhe mënyra e të jetuarit sipas standardeve më të larta dhe vetë demorkacia që i prodhon ato nuk mund të merren të mirëqena”, tha ajo.

Xhaçka tha se “deviza e kohës sonë edhe në këtë pjesë me zemër të re të kontinentit të vjetër Shqipërisë, mbetet vizioni i baballarëve të unionit i mbështetur në solidaritet dhe veprim të përbashkët për ta çuar përpara këtë projekt politik, duke përfshirë të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor me një perspektivë të qartë në BE, duke bërë kështu triumfues projektin në gjithë kontinentin”, tha ajo.

Sot, vijoi ajo, “ne jemi më afër se kurrë objektivit tonë strategjik të anëtarësimit përmes procesit të hapjes së negociatave”.

“Shqipëria dhe qeveria jonë ka arritur që përmes përpjekjeve titanike, të përmbushjen të gjitha prioritetet dhe kërkesave specifike, ku më madhorja është ajo e reformimit të sistemit të drejtësisë dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës. Këto janë realizuar falë edhe konsensusit kombëtar të të gjithë shqiptarëve. Koha ka dëshmuar se rrugëtimi i BE në këto shtatë dekada, nuk ka qënë një fushë me lule. Projekti politik i Unionit është endur mes skepticizmit dhe europeizmit. Për këtë, sot, në të gjitha strukturat institucionale evropiane është hedhur në tryezën e debatit dhe diskutimeve tema mbi të ardhmen e Evropës, e cila synon të shtjellojë të gjithë problematikën dhe modernizimin e Unionit”, tha Xhaçka.

Ajo theksoi se “ne jemi besimplotë se edhe vetë e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe e rajonit nuk do të kompromentohen në asnjë lloj skenari.

“Ne kemi të gjithë vullnetin politik për të punuar për këtë objektiv dhe realizimi i tij do të vijë natyrshëm si përmbushje e amanetit të paraardhësve tanë dhe detyrim ndaj brezave të rinj. Stafeta jonë është në duar të sigurta, dhe këtu kam parasysh asetin tonë më të vyer kombëtar, gjeneratën e të rinjve dhe të rejave që do ta lartësojnë edhe më tej emrin, rolin dhe kontributin e Shqipërisë në familjen evropiane”, tha Xhaçka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re