Në kuadër të Ditës së Evropës, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në një diskutim të hapur me ambasadorë të vendeve të BE në vendin tonë, lidhur me përgjigjen e përbashkët të Shqipërisë dhe BE ndaj agresionit rus në Ukrainë.

 

 

Ministrja Xhaçka theksoi se në këtë ditë, shqiptarët nuk kremtojnë thjesht Evropën, por mbi të gjitha ëndrrën e tyre për t’u bërë pjesë e saj.

 

 

Ministrja Xhaçka shprehu mirënjohje për gjithçka që BE ka bërë për Shqipërinë dhe rajonin, teksa theksoi domosdoshmërinë e një qasjeje më strategjike të BE ndaj rajonit.

 

 

“Shqipëria është duke luajtur një rol të dorës së parë në arenën diplomatike globale, në Këshillin e Sigurimit ku po jep një kontribut aktiv e të qenësishëm në mbështetje të Ukrainës. Ne e meritojmë të kemi një perspektivë të qartë evropiane, këta të rinj e të reja që janë sot këtu e meritojnë që ta jetojnë BE njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në vendet anëtare dhe të mos u duhet të presin edhe ata për dekada e dekada me radhë me një BE që ngelet si një vegim që nuk afrohet kurrë në horizont, siç për fat të keq i qëlloi brezit tim”, u shpreh ministrja Xhaçka në fjalën e saj.

 

Pjesë e panelit të nivelit të lartë ishin edhe ambasadorët e vendeve të BE në Shqipëri, si edhe ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shukrov. Ata shprehën solidaritetin për Ukrainën dhe njerëzit e saj, teksa shprehën mirënjohjen e tyre për kontributin dhe mbështetjen që Shqipëria ka treguar ndaj Ukrainës. Gjithashtu, ata njëzëri vlerësuan progresin e vazhdueshëm që Shqipëria ka bërë sa i përket procesit të integrimit në BE.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re