Bashkimi Evropian do të shënojë Ditën e Evropës në 9 maj, e cila feston paqen dhe unitetin në kontinentin Evropian.

Ashtu si vitin e kaluar, masat pandemike kanë ndryshuar mënyrën tradicionale të festimit të Ditës së Evropës në selinë e BE në Bruksel.

Specifika e kremtimit të këtij viti të Ditës së Evropës është organizimi i veprimtarisë së parë brenda Konferencës për të Ardhmen e Evropës.

Konferenca inauguruese, e cila duhet të shënojë fillimin e një debati të gjerë mbi të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë të BE dhe reformat që do të ndërmerren në politikat dhe institucionet e saj, do të mbahet në 9 maj në PE, ku marrin pjesë zyrtarë kryesorë të BE .

Synimi i Konferencës është të përfshijë qytetarë të BE-së, veçanërisht të rinjtë, si dhe përfaqësues të institucioneve të BE-së në debatin gjatë dy viteve të ardhshme mbi drejtimin në të cilin do të zhvillohet dhe lëvizë BE-ja.

Ka thirrje për vendet kandidate për në BE që të përfshihen në debate mbi vizionet për të ardhmen e shtëpisë së përbashkët.

Bashkimi Evropian filloi të festonte Ditën e Evropës në 1985, duke përkujtuar Deklaratën Schuman të 1950, e cila propozoi bashkimin e industrive të qymyrit dhe çelikut francez me Gjermaninë Perëndimore, duke çuar në krijimin e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut.

Kremtimi i 9 majit si Dita e Evropës festohet në të gjithë BE-në që nga viti 2008, dhe që nga viti 2019, 9 maji është bërë një festë zyrtare kombëtare në Luksemburg.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re