Gazetarët palestinezë që mbulojnë luftën në Gaza kanë fituar një çmim që kujton lirinë e medias, ka njoftuar Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

“Në këto kohë të errësirës dhe mungesës së shpresës, ne duam të ndajmë një mesazh të fortë solidariteti dhe njohjeje për ata gazetarë palestinezë që e ndjekin këtë krizë në rrethana kaq dramatike”, tha presidenti i jurisë Mauricio Weibel.

“Si njerëzim, ne i detyrohemi një borxh të madh guximit dhe angazhimit të tyre ndaj lirisë së shprehjes.”

Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s Audrey Azoulay tha se çmimi nderon guximin e gazetarëve në rrethana të vështira dhe të rrezikshme.

“Edhe një herë këtë vit, çmimi na kujton rëndësinë e veprimit kolektiv për të siguruar që gazetarët në mbarë botën të mund të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre kryesore të raportimit dhe investigimit.”

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) me bazë në Nju Jork, të paktën 97 gazetarë dhe punonjës të medias, 92 prej tyre palestinezë, kanë qenë në mesin e më shumë se 35,000 palestinezëve të vrarë që nga fillimi i luftës më 7 tetor.

Që nga 1 maji, 16 gazetarë të tjerë janë raportuar të plagosur, katër janë të zhdukur dhe 25 janë arrestuar, tha CPJ.

Dita Botërore e Lirisë së Medias mbahet më 3 maj për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e lirisë dhe pavarësisë së medias. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re