Skip to content

Dita e Rinisë, grupimi “Dhjetor 90” dhe FRPD festojnë me Berishën

Kur numërimi mbrapsht për Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit po përfundon, Sali Berisha do të ketë edhe një ndalesë të fundit.

Të mërkurën e 8 dhjetorit, në Ditën e Rinisë, Berisha do të zhvillojë homazhe te shtatorja e Azem Hajdarit në Qytetin Studenti e përkrah tij do të jenë edhe ish-studentë të lëvizjes që solli demokracinë në Shqipëri.

Ndryshe nga vitet e tjera në ceremoninë që organizohet nga “Grupimi i Dhjetorit 90” nuk ka një konfirmim të pjesëmarrjes së Lulzim Bashës.

Bislim Ahmetaj që drejton grupimin “Dhjetori 90”, tregoi për A2 CNN arsyet që e shtyjnë të jetë përkrah Sali Berishës në ditën e rinisë.

“Është asgjësuar pluralizmi shqiptar, parimet mbi të cilat u themelua liria e pronës, e besimit, janë të kufizuara. Është dhunuar vota që është e shenjt”.

Kuvendin e 11 dhjetorit e cilësoi si vullnetin e shumicës së demokratëve, ndërsa atë të datës 18 si një antimiting duke hequr edhe një paralele me ish-Partinë e Punës.

Në një ceremoni tjetër në orën 11:00, Fondacioni për Liri dhe Demokraci, pranë Partisë Demokratike, do të organizojë një event dedikuar Ditës së Rinisë në ArtTurbina, skenë e konsideruar nga demokratët si anti-Teatri Kombëtar, pas shembjes së godinës historike.