Edhe pse në vitin 2013, qeveria shqiptare premtoi shëndetësi falas, Shqipëria kryeson listën e vendeve ku shpenzimet për shëndetin paguhen direkt nga qytetarët. Shëndetësia shqiptare është e nënfinacuar, kjo duket se është dhe arsyeja kryesore pse shqiptarët paguajnë nga xhepi 60% të kostos totale për çdo ditë që janë të sëmurë.

Gjatë tryezës së diskutimeve organizuar nga  Shoqata Together for Life, ku u prezantua raporti me temën “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, mbështetur nga National Endowment for Democracy, Kryetarja e e Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji deklaron se, pavarësisht se qeveria flet për “buxhete historike”, Shqipëria është një nga vendet me buxhete më të ulëta për shëndetësinë.

Sipas saj qytetarët shqiptarë paguajnë më shumë nga xhepi i tyre për të marrë shërbim dhe trajtim mjekësor.

“Këmbanë alarmi për komisionin ishte edhe raporti i OBSH-së, që vërtetoi dhe njëherë që shqiptarët janë qytetarët që pagujnë më shumë për sistemin shëndetësor, rreth 465 dollarë në vit, nga këto 277 dollarë paguante secili qytetar nga xhepi i vet për shërbim dhe trajtim mjekësor. Që do të thotë se skema e FSDKSH bie, nëse ti mendon se 60% çdo qytetar e nxjerr nga xhepi vet për të siguruar shërbim dhe trajtim shëndetësor,” nënvizon ajo.

Shëndetësia në Shqipëri nuk është fushë prioritare mbështetur në nivelin e financimit që merr nga buxheti i shtetit. Për më tepër, mungon një analizë e rezultateve të shpenzimet publike të sektorit në drejtim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Në tryezën ku u prezantua raporti, “Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 – Arritjet dhe Sfidat”, të pranishmit konkluaduan se nënfinancimi është sëmundja e sistemit tonë shëndetësor.

“Unë do të jem shumë pak diplomatik, do të jem i drejtëpërdrejtë. Që një pacient të shërohet duhet që ne pacientit t’i diagnostikojmë sëmundjen dhe t’i themi kush është sëmundja dhe të fillojmë veprimin me të. Sistemi jonë shëndetësor sëmundjen e ka se në rradhë të parë s’ka lek. Kjo është sëmundja. Në rradhë të parë s’ka lek. Është i nënfinancuar në një shkallë tejmase të ulët. T’i lëmë gjërat sikur funksionon gjithçka. Nuk funksionon. Shëndetësia kushton. Shëndetësisë i duhet kushtuar vëmendje financiare. Që nga financim, më pas mirëmenaxhimi, mosabuzimi e më rradhë”, deklaroi Dr. Ilir Alimehmeti.

Ndërsa sipas Presidentes së Urdhrit të Infermierëve, Blerina Duka, 4 janë shtyllat ku duhet të fokusohemi: “Ne kemi një numër të madh të profesionistëve që janë të fokusuar në Tiranë dhe kemi një mungesë të theksuar në zonat rurale.  Këtu doja të theksoja që duhet të punojmë kryesisht në infermirë, të cilët duhet të bëjnë përshkrimin e medikamenteve. Pra duhet të ndryshojë strategjia. Duhet të shikojmë një ekip shëndetësor, ku infermieri  bën përshkrimin e medikamenteve, sidomos të sëmundjeve kronike. Ky do të ishte kujdes më i shtuar për zonat rurale dhe do të ishte një rritje e rolit të lidershipit të infermierëve në lidhje me fuqizimin e tyre në dhënien e shërbimeve shëndetësore.

Janë katër sfida në të cilat duhet të punohet më shumë. Ne duhet të punojmë kryesisht me geriatrinë. Është një element shumë i rëndësishëm sepse jemi një popullsi në plakje. Duhet të shikojmë shumë shëndetin mendor, urgjencën dhe pediatrinë. Këto janë katër fushat që duhet të punohet kryesisht për të ndërtuar një program të specializuar për sfidat e  mëtejshme.”

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re