Banorët e Lumasit janë sot në ditën e tyre të shtatë të grevës së urisë.

Pesë grevistët që janë ngujuar që prej ditës së martë në një godinë përballë zyrave të ish-komunës Lumas janë përkeqësuar nga ana shëndetësore.

Njëri prej grevistëve, Ylmi Shuaipi, u përcoll në gjendje të rëndë mbrëmjen e djeshme me ambulancë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku pasi mori mjekim, serum dhe kreu ekzaminimin e zemrës u rikthye sërish në grevë, edhe pse vijon të jetë i sëmurë.

Në gjendje të rënduar shëndetësore janë edhe të gjithë grevistët e tjerë, të cilët shfaqin probleme me tensionin, këputjen trupore dhe aritminë.

Vetë grevistët kanë deklaruar çdo ditë se, edhe pse janë të sëmurë dhe gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet, ata nuk do ta ndalin për asnjë moment grevën e urisë.

Grevistët i qëndrojnë fjalës së dhënë për ta çuar grevën e tyre deri në fund dhe për tu vetëflijuar në qoftë se nuk përmbushen kërkesat e tyre.

Ndërkohë që grevistët janë në ditën e tyre të shtatë të grevës së urisë, banorët e Lumasit kanë vijuar për çdo ditë protestat e tyre në kanionin e Sinecit.

Kujtojmë se banorët e Lumasit janë duke protestuar prej 4 muajsh në mbrojtje të ujit të burimit të Sinecit, duke kundërshtuar me forcë ndërtimin e ujësjellësit në këtë burim.

Edhe pse ADZM Elbasan në 29 Korrik mori vendimin për pezullimin e punimeve në kanionin e Sinecit, për shkak se është zonë e mbrojtur, punimet nuk janë ndërprerë për asnjë ditë.

Paralelisht me protestat në Sinec, prej 6 ditësh janë futur në grevë urie edhe pesë banorë të Lumasit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re