Deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri ka bërë një reagim në rrjetet sociale, në ditën ndërkombëtare për Personat  me Aftësi Ndryshe.

Reagimi:

Në ditën ndërkombëtare për Personat me Aftësi Ndryshe, më shumë se 160 mijë qytetarë të cilët trajtohen me statusin e veçantë nga legjislacioni kombëtar, përballen sot me një neglizhencë të qeverisë për të siguruar një jetesë dinjitoze, shërbime publike afër nevojave të tyre dhe programe reale për integrimin ekonomik dhe social.

Në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm 2024, qeveria nuk do të parashikojë asnjë formë mbështetje, me shume nga sa ka dhënë për këtë vit. Nuk do të ketë asnjë rritje apo indeksim të masës së trajtimit financiar të tyre. Ndërkohë pagesa mesatare mujore e aftësisë ndryshe mbetet nën pragun e minimumit jetik të vlerësuar nga institucioni i Avokatit të Popullit prej 185 euro për frymë në vitin 2019, që dukshëm sot e tejkalon vlerën e 200 euro nëse do të reflektojmë vlerën mesatare të inflacionit për vitet 2020-2023.

Qytetarët me aftësi ndryshe, së bashku me pensionistët përbëjnë më shumë se ¾ e popullsisë që gjenden sot nën varfëri e cila sipas Bankës Botërore prek gati 40% të popullisë kombëtare. Një shifër kjo rreth dy herë më e lartë se sa mesatarja e vendeve të rajonit dhe gati 7 herë më e lartë se ajo e vendeve të BE.

Shërbimet bazë si ai transportit, mobilitetit dhe infrastrukturës pedonale, aksesi në institucione publike, arsimore, të kulturës etj., në shumicën prej 61 bashkitë e vendit është thuajse inekzistent. Për më tepër dhe në ato raste ku kjo infrastrukturë në dukje është prezente, në fakt është ose e amortizuar ose jashtë kushteve tekniko-infrastrukturore për ta bërë të akseueshme për këta persona.

Nga ana tjetër personat me AN janë plotësisht të paintegruar në punesim dhe ne mundësimin e një arsimi cilësor. Përtej propagandës së qeverisë, numri i personave me AN të puënsuar nga viti në viti nëpërmjet programeve të nxitjes së tyre është në vlera dramatikisht të papërfillshme.

Prej 2019 Shqipëria ka një legjislacion, në dukje mjaft favorizues për puënsimin e AN. Megjithatë pavarësisht ndryshimeve të ndodhura këtë vit, nëpërmjet të cilave do të kushtëzohej punësimi i rreth 8 mijë personave me AN në sipërmarrje private dhe institucione publike për shkak të kuotave “1 për cdo 25 punonjës” dhe në rast të mospunësimit, subjektet do të duhej të kontribuonin në buxhet vlerën e pagës minimale për cdo muaj mos punësimi të tyre, në fakt për këtë vit të ri buxhetor, qeveria ka parashikuar realizim prej 0 lekë për këtë zë të ri të ardhurash që mund të gjenerohen nga kjo politikë. Pra edhe pse në dukje miraton ligje për promovimin dhe nxitjen e integrimit në tregun e punës së personave me AN, në të vërtetë kjo mbetet thjeshtë për efekt të fasadës dhe propagandës, pasi qeveria nuk ka vullnet të përmbushë qoftë dhe angazhimet e veta publike.

Kjo është një neglizhëncë e qartë dhe mjaft e dëmshme ndaj qindra e mijëra familjeve shqiptare, të cilat po i privon në praktikë nga ushtrimi i të drejtave themelore të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta.
Po ashtu, mos-integrimi ekonomiko-social i personave me AN ka një efekt negativ, pasi pengohet një kontribut domethënës që këta qytetarë potencialisht mund të ofrojnë në ekonominë e vendit, si vlerë kostoje oportune e cila mund të vlerësohet në disa dhjetra miliona euro çdo vit.

Së fundmi Partia Demokratike e Shqipërisë ka depozituar pranë Kuvendit një paketë amendamentesh të projekt-buxhetit 2024, ku përfshihet dhe rritja e pagesave të trajtimit financiar të kësaj kategorie sociale ne veshtiresi në masën e një vlere reale nga ndikimi i inflacionit të cmimeve të produkteve të shportës.

Kjo rritje është plotësisht e realizueshme, nëse do të ketë vullnet të qartë politik duke pakësuar shpenzimet operative të qeverisë të cilat shkojnë vetëm për lluks qeveritar dhe të ndalohen sa më parë kontratat korruptive të sektorit të Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale sic është ai i sterilizimit – aktualisht nën hetim nga SPAK, në mënyrë që të paktën tu sigurohet 160 mijë qytetarë dhe familjeve të tyre një trajtim dinjitoz financiar.

Vijon…

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re