Mozambiku ka filluar eksportimin e gazit natyror të lëngshëm për herë të parë, një lëvizje që presidenti i vendit, Felipe Nyusi e përshkroi si historike.

Gazi prodhohet në një terminal në det të hapur që operohet nga kompania italiane e energjisë Eni, por gjiganti britanik i naftës BP ka të drejta blerjeje mbi të.

Gazi shkoi në një anije mallrash britanike të destinuar për në Evropë, por destinacioni i saj përfundimtar nuk dihet ende, raporton BBC.

Dërgesa vjen pasi Evropa kërkon burime alternative të gazit ndërsa përpiqet të reduktojë varësinë e saj nga Rusia.

Një mundësi për zhvillim ekonomik

Mozambiku shpreson të bëhet një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të gazit natyror, pas zbulimit të tij në provincën veriore të Cabo Delgado në 2010.

Pengesë për fillimin e eksporteve janë konfliktet brendshme, në të cilat janë vrarë më shumë se 4000 njerëz dhe qindra mijëra janë zhvendosur.

Qeveria beson se zbulimi i gazit do të nxisë ekonominë, por presidenti Nyusi tha se Mozambiku do të vazhdojë të fokusohet në “veprimtaritë tradicionale”, si bujqësia, peshkimi, turizmi, për të arritur zhvillimin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re