Nga: Hoxhë Alban Gorishti

Mbi 300 fëmijë, deri tani ,(sipas organizatave ndërkombëtare) u nxorrën nga rrënojat e tërmetit që ra në Turqi dhe Siri. Këto dhe të tjera, ishin këto ditë të jashtëzakonshme historitë e vogëlushëve të cilat i rikthyen një pjese të botës, besimin se me të vërtetë mrekullitë trupëzohen kohë pas kohe. Po ashtu këto ditë u përhap videoja e një vajze të vogël e cila kishte mbijetuar për ditë poshtë rënojave dhe tregoi për një burrë të madh të veshur me të bardha dhe me mjekër të bardhë i cili zbriti nga kali i dha ushqim (vajzës së vogël) dhe mbajti rënojat e shtëpisë mos të binin mbi të. Kjo në vetvete ishte një mrekulli pasi pas analizave doktorët (pavarsisht orëve të gjata pa u furnizuar me ushqim) panë se vajza kishte gjithë proteinat e nevojshme në trupin e saj. Dijetarët e islamit thonë se askush (pas vdekjes së pejgamberit alejhi selam) nuk mundet të gjykojë në mënyrë kategorike se ka parë një engjëll të trupëzuar në formën e njeriut.

Asnjë njeri në botë nuk i ka pa melekët (engjëjt) në formën e tyre të vërtet përveç Muhamedit a.s., i cili e pa Xhibrilin dy herë në formën e tij të vërtetë. Ndërsa në baze të disa argumenteve tjera thuhet se njerëzit mund ti shohin meleket, kur Allahu u mundëson atyre të personifikohen në pamje të njeriut. E kjo ka ndodhur disa herë në kohën e pejgamberit alejhi selam, Sad bin Ebi Uekas në ditën e Uhudit ka parë dy njerëz (melaike) në të djathtë dhe të majtë të pejgamberit alejhi selam të cilët luftonin në krah të pejgamberit për ta mbrojtur atë. Po ashtu Umu Seleme dhe Aishja e ka parë Xhibrilin në formën e Dijhetu el Kelbij duke biseduar me pejgamberin alejhi selam , ndërsa e kuptuan se ishte Xhibrili vetëm pasi e dëgjuan pejgamberin alejhi selam të përmendte emrin e tij gjatë diskutimit me të. Siç përmendet në Kuran dhe hadithet e sakta ka prej ëngjëjve që e shoqërojnë njeriun e nuk i ndahen, e prej tyre që e nxisin njeriun për vepra të mira, e prej tyre që marrin pjesë në xhenazet e të devotshmëve, e ka prej tyre që luftojnë bashkë me besimtarët e i përforcojnë, e ka prej tyre që janë përgjegjës për mbrojtjen e të devotshmëve, duke ua larguar brengat. Një nga urtësitë që përmendet se përse Xhibrili është personifikuar në trajtën e Dihjes, është fakti se ai ka qenë burrë shumë i pamshëm (i bukur) saqë flitej në tërë Medinen për hijeshinë e pamjes së tij (Shih Librin: El Isabetu fi temjiz es-sahabeh i Ibn Haxherit 2/284). Kështu nga kjo kuptojmë se engjëjt trupëzohen vetëm në trajta të bukura dhe të pastra ndërsa xhinët (shejtanët) në forma të ulta siç janë kafshët si gjarpri, akrepi, deveja, gomari dhe qeni i zi (shih : Mexhmu’u el fetaua 19/44). Por edhe në formën e njeriut sikurse ka ardhur në trajtën e Suraka ibn Malikut (në luftën e Bedrit në atë kohë jobesimtar i cili shfaqi aleancë me kurejshët) siç përmendet në suren Enfal ajeti 48: Përkujto (Muhammed) kur shejtani (i trupëzuar si Suraka bin Malik) u dha guxim për veprat e tyre (luftën e Bedrit) dhe u tha: “S’ka kush që mund t’iu mposhtë sot ju, unë jam mbrojtës juaji!” E kur u ballafaquan të dy grupet, ai u tërhoq prapa e tha: “Unë tërhiqem prej jush, unë shoh (Xhibrilin dhe ëngjëjt që po zbrisnin) çka nuk shihni ju, unë i frikësohem All-llahut. All-llahu ndëshkon shumë ashpër” Enfal 48.

Kështu siç e përmendëm edhe më sipër shejtanët trupëzohen në formën ose të maceve të zeza ose në formën e qenit të zi pasi xhinët janë krijuar nga zjarri dhe e zeza është më e përshtatshme sesa ngjyrat e tjera për të përthithur energjinë metafizike të xhinëve energjinë e nxehtësisë (shih :Ibn Tejmije, Mexhmu’u el fetaua 19/52) . Gjithsesi këto detaje janë thjesht për të perceptuar një dimension tjetër nga ai që shohim por jo që të angazhohemi me të por të kuptojmë arsyet dhe urtësitë hyjnore pas eventeve madhore që ndodhin në këtë ekzistencë. Evente si ai i Turqisë dhe Sirisë, i cili na shokoi jashtzakonisht. Por, “ nuk themi asgjë që e mërzit Zotin tonë”, prej fjalëve të cilat e ulin dhe e rënojnë inteligjencën dhe përshpirtshmërinë njerëzore. Por si të dallojmë midis veprës së “engjëllit apo shejtanit” përgjatë ndodhive tronditëse? Allahu na përmend në Kuran dy ndjesi ( apo kontakte) të cilat na ndihmojnë të kuptojmë se kujt i afrohen engjëjt e kujt shejtanët. Në ajetin e parë Allahu thotë: “Të cilëve duke qenë të pastër, engjëjt ua marrin shpirtin, duke u thënë: “Selamun alejkum” – gjetët shpëtimin, hyni në xhenet, për hir të asaj që vepruat” Nahl 32 .Ndërsa ndjesitë e kundërta i rezervohen zullumqarit kur i “sheh” mrekullitë (ëngjëjt) e Zotit. Allahu thotë: “Për kriminelët atë ditë kur i shohin engjëjt nuk ka gëzim……” Furkan 22. Pra, ideja këtu është ajo e optimizmit që përcjell prezenca dhe “frymëzimi” i ëngjëllit dhe pesimizmi që përcjell prezenca e shejtanit. Ndërsa ata nuk ngatërrohen me një “shtëpi” vetëm sipas përmasave të besimit apo mosbesimit në të, zullumit apo mirësisë. Në fjalët e vajzës së shpëtuar pashë një çiltërsi çarmatosëse, po ashtu pashë se ajo kishte ndier një siguri gjatë asaj eksperience, ndjesi të cilën nuk ta jep aspak përballja me energjinë negative. Gjithsesi, çfardo të ketë qenë ajo krijesë, nuk ka veprim që manifeston Allahu vetëm se është i mbushur me urtësi të panumërta. Prej tyre është udhëzimi, kam disa ditë që dëgjoj në aktualitet raste të jo muslimanëve të shprehur të habitur dhe prekur prej kësaj historie, ndërsa ne e dimë që shejtanët nuk dëshirojnë udhëzimin njerëzor (“po shejtani nuk u premton tjetër, përveç mashtrim” Isra 64), e kjo pamje edhe pse e dhimbshme po na tregon se udhëzimi dhe drejtimi i zemrës dhe syve shpesh kalon nëpër peripeci vetmohuese të cilat të çojnë të kuptosh realitetin e kësaj ekzistence të mbushur me gabime njerëzore dhe rrugës që e shpie apo e largon njeriu nga e vërteta absolute, Zoti. Nëse kujtojmë historinë e sures Buruxh (poseduesve të hendekut)kuptojmë se çfardo gjëje të ndodhi, duam apo s’duam ne, ka realitete të cilat nuk preken nga besimi apo mosbesimi ynë por ato vazhdojnë të mbeten aty. E vetmja diferencë është shembulli i cili kalon nëpërmjet manifestimeve vetmohuese të cilat mbartin synime sublime, çeljen e syve dhe njohjen e rrugës hyjnore (djali i cili sipas tregimit të sures Buruxh sakrifikoi veten që të besojnë njerëzit e tjerë). Abdulhamid Ebu Sulejman thotë: “Ajo që e dallon Islamin nga shoqëritë tjera në botën bashkëkohore është se Islami është feja e vetme, e cila posedon libër të ruajtur hyjnor. Ky libër – bazuar në diturinë hyjnore dhe absolute – cakton çështjet konstante të së mirës dhe reformimit të shoqërisë njerëzore dhe çështjeve universale në rrjetin e raporteve njerëzore, në kohën e tashme dhe të mëvonshme. E gjithë kjo nuk mund të vjen përpos nga Krijuesi i universit dhe të Gjithëdijshmit absolut rreth asaj që ka krijuar. Për vërtetësinë e saj dëshmojnë mrekullitë e pejgamberisë dhe validiteti i librit në gjitha kohët dhe vendet”.(Teamulatun fi dhahirijjeti ibn Hazmin ve i’xhaz’ir-Risalet-il-muhamedijjeh) Hasan el basriu ka thënë : “ Ditët e begatisë ( ejamul khalas) janë ditët që do të gjykohet me Islam (në tërë botën)”. Ndërsa ditët që po jetojmë janë ditë në të cilat i besohet tradhtarit dhe përgënjeshtrohet i sinqerti, në të cilat ndershmëria dhe ndjeshmëria largohet prej zemrave njerëzore, ditë që amaneti është pronë e bosit i cili paguan më shumë. Ditët për të cilat flet Hasan el basri janë ditët kur do të zbresi Isai i cili do të gjykojë me islam, ditë në të cilat kafshët e egra nuk do ti dëmtojnë njerëzit dhe as kafshët e buta (pasi do të mbretërojë siguria dhe ngopja) ditë në të cilat amaneti do të lidhet në zemrat dhe kuvendet e njerëzve, ditë në të cilat toka do të pastrohet nga mëkatet dhe do të kthehet e pastër sikurse ishte në ditët kur Ademi dhe Havaja zbritën në të, në të cilat nuk do të ketë as zili dhe as kopraci. Ditë në të cilat nuk do të kundërshtohet Allahu me gjynahe, por para tyre do të vijnë ditë të vështira dhe tronditëse, pikërisht sepse njeriu nuk ka për të njohur as libër hyjnor dhe as ndjeshmëri sipas modelit hyjnor. Allahu na tregon për ditët në të cilat mohoet mirënjohja (ndaj Allahut): “E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t’ju hapnim begati nga qielli e toka, por ata përgënjeshtruan, andaj i dënuam..” Araf 96. Po ashtu thotë për popullin e Egjiptit në kohën e Musait: “Atëherë (për shkak të mohimit) Ne lëshuam kundër tyre: vërshimin, karkalecat, rriqërat (insekte dëmtuese), bretkosat dhe gjakun, fakte të qarta njëra pas tjetrës, po ata mbanin kokëfortësi sepse ishin popull mëkatarë” Araf 134. Thotë Katade në komentimin e këtij ajeti, se ata (Egjiptianët) i gjenin karkalecat edhe në veshjet e tyre të brendshme, në ushqimin e tyre në të mbjellat e tyre saqë karkalecat filluan të rënojnë edhe shtyllat apo dyert e shtëpive prej druri për shkak të numrit të tyre të madh, madje dikush nuk mundet ta zinte gjumi pasi rrezikonte që gjatë gjumit ti binte ndonjë karlalec në gojë, pra kjo ishte sprova më e madhe për beni Israilët pasi ishte kudo me ta”. Ky shembull është i ngjashëm me fatkeqësinë që mbollën mëkatet në epokën moderne, pasi ato e shoqëruan njeriun në çdo cep të ekzistencës, madje edhe kur i mbyll sytë për të fjetur. Ditët e khalasit ( e begatisë) janë ditë në të cilat do të zhduket idhujtaria, mosbesimi , padrejtësia, ndërsa ditët para tyre do të jenë ditë që qielli dhe toka do të ndryshojnë (do ti paksojnë bereqetet e tyre) do të jenë ditë në të cilat njeriut do ti përzihet e mira dhe e keqja, ndaj i miri do të përzihet me të keqen ashtu sikurse përzihet gruri me misrin. Por tek i miri kjo është përzierje e cila rregullohet, ndërsa përzierja e disave është sikurse ajo e kafes me qumështin, përzierje që e ndryshon origjinën e dy elementeve, përzierje e cila synohet në ajetin e mësipërm (Araf 96). Por, nëse flasim në nivel shoqërie atëherë kjo përzierje e pamundëson njeriun ti dëgjojë këshillat dhe ti shikojë ngjyrat. Allahu thotë; “A nuk e kanë të qartë ata që e trashëguan tokën pas banorëve të saj (që u shkatërruan) se, nëse dëshirojmë Ne i godasim (i dënojmë) për mëkatet e tyre, ua mbyllim zemrat e tyre, dhe ata nuk dëgjojnë (këshillat)” Araf 100. Ndaj në këtë gjendje vetëm një shkundje e madhe i bën sytë dhe zemrat të vëmendshme, i kthen sytë se edhe në rënoja mundet të ndodhin mrekulli, se një njerëzim mundet të ringrihet më i fortë në rrugën e të vërtetës edhe pse në buzë të greminës. Se shpresa është mrekulli ndërsa mrekullia jep shpresë, se pafajësia që dëshirojnë ti marrin fëmijëve është rruga më e fortë e udhëzimit, atij udhëzimi që të mundëson ta ndërtosh shtëpinë në themele të forta dhe kurrsesi në buzën e një dige e cila po thyhet . Këto janë ditë që mrekullinë duhet ta kërkojmë afër të mirës sado e dobët të jetë, pasi siç thotë pejgamberi më poshtë, nuk ka të mirë në tokë vetëm se ka pasqyrimin e saj në qiell. Profeti thoshte: “Unë kam në qiell dy vezirë (ministra, këshillues), Xhebrailin me Mikailin, kurse në tokë, Ebu Bekrin dhe Omerin!”

Ndaj kujdes kë merr për këshillues këto ditë, ditët e privimit shpirtëror.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re