Një marrëdhënie e padëshiruar mes fëmijëve dhe gjyshërve të tyre nuk mund të imponohet me ligj, ka vendosur Gjykata e Lartë e Romës, duke rrëzuar dy vendime të mëparshme të gjykatës.

Siç raporton gazeta britanike Guardian, gjyqtarët kanë vendosur në favor të së drejtës së fëmijëve për të vendosur nëse duan të kontaktojnë gjyshërit e tyre.

Gjykata e Lartë e Italisë vendosi se fëmijët nuk kanë asnjë detyrim të shohin të afërmit e tyre nëse nuk dëshirojnë.

Në thelb rrëzoi vendimin e gjykatës së Milanos, si dhe të Gjykatës së Apelit, e cila urdhëroi fëmijët të kalonin kohë me gjyshërit e tyre nga babai.

Çështja e kahershme mori rrugën e Drejtësisë kur gjyshërit dhe një dajë nga ana e babait të fëmijëve, i kërkuan një gjykate për të mitur në Milano që të kishin kontakt me fëmijët.

Të afërmit u ankuan se nuk mund t’i shihnin për shkak të mosmarrëveshjes së vazhdueshme të prindërve.

Si gjykata për të mitur, ashtu edhe Gjykata e Apelit në Milano vendosën në favor të gjyshërve në vitin 2019, duke i urdhëruar ata të shihnin nipërit e tyre, por në prani të një punonjësi social.

Përveç kësaj, ata paralajmëruan prindërit për presione të mundshme psikologjike ndaj fëmijëve të tyre nëse i privojnë ata nga kontaktet me të afërmit e tyre.

Por prindërit argumentuan se këto takime nuk ndikuan pozitivisht tek fëmijët për shkak të tensioneve të vazhdueshme familjare, ndaj u ankuan në Gjykatën e Lartë të vendit.

Raporti i gazetës britanike thekson gjithashtu se ndërsa “nuk ka dyshim” se dy fëmijët do të përfitonin nga një lidhje me të afërmit e ngushtë, çifti kishte shprehur kundërshtimin e tyre, duke besuar se nuk mund t’i detyronin fëmijët e tyre të vinin në kontakt me gjyshërit, sidomos kur mjedisi është armiqësor. Prandaj, Gjykata e Lartë u shpreh se interesat e fëmijëve duhet të mbizotërojnë mbi ato të të afërmve të afërt dhe se “një marrëdhënie e padëshirueshme” nuk mund të imponohet, aq më tepër nëse fëmijët janë “të aftë të kenë një gjykim pasi kanë mbushur moshën 12 vjeç”.

Gazeta britanike kujton se sipas një ligji për të drejtën familjare të futur në Itali në vitin 2006, fëmija ka të drejtë të ketë marrëdhënie me gjyshërit e tij, edhe nëse prindërit divorcohen.

Gjyshërit gjithashtu kanë të drejtë t’i kërkojnë gjykatës të vendosë nëse vendimi i prindit për t’u mohuar atyre kontaktin me nipërit e mbesat dëmton mirëqenien e tyre dhe për këtë arsye konsiderohet i paligjshëm. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re