Kreu i Grupit të PS-së, Niko Peleshi, iu është bashkuar homazheve në nder të ish-deputetit demokrat, Gerti Bogdani, në Kuvendin e Shqipërisë.

Peleshi u shpreh se Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 44-vjeçare si pasojë e një arresti kardiak, ishte një djalë i shkëlqyer dhe politikan model.

Për mediat, kreu i Grupit të PS, theksoi se ish-deputeti i ndjerë fdo t’i mungojë politikës shqiptare sepse përfaqësonte një standard për t’u ndjekur.

Niko Peleshi: Ikja në një moshë kaq të re, është gjithmonë e dhimbshme për këdo, edhe për njerëz që i njeh apo nuk i njeh, për më tepër që këtu bëhet fjalë për një djalë të mirë, të shkëlqyer, të Tiranës dhe Shqipërisë, një politikan model, por mbi të gjitha një bashkëshort i mirë dhe një qytetar shembullor.

Kështu që dhimbja shumëfishohet, kështu që dua ti bashkohem të gjithë ngushëllimeve e dhimbjes që gjithkush e ndjen sot, edhe dhimbjen e kolegëve tanë të grupit të deputetëve të PS që janë sot këtu për të përcjellë mikun e tyre, kolegun e tyre, një njeri me kaq shumë vlera, që do ti mungojë padyshim, miqve, familjes por edhe politikës shqiptare sepse përfaqësonte një standard për të mos u humbur, por për t’u ndjekur. Kjo është jeta dhe mbase këto momente duhet të na bëjnë më të mirë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re