Skip to content

Djali i Remzi Hoxhës: Po pres ende Ramën, pastaj e vetmja rrugë që më mbetet për Berishën, është Kanuni

 

24 vite nga rrëmbimi dhe zhdukja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, i biri vazhdon të kërkojë drejtësi.

Ai thotë se po pret ende Ramën, në të kundërtën, e vetmja rrugë që i mbetet, është Kanuni.

“Rama ka ende kohë deri në fund të mandatit të tij dhe neve shpresa nuk na shuhet kurrë, por me sa duket as ai e as bashkëpartiakët e tij nuk kanë ndërmend të bëjnë asgjë, përveç se kur të dalin në opozitë të mundohen të hedhin gurë mbi Sali Berishën.

Uroj që z. Rama të mos i bashkëngjitet klubit të Sali Berishës e Fatos Nanos që nuk kanë bërë asgjë rreth zbardhjes së rastit tonë.

Unë isha 14 vjeç kur zhdukën babain tim. Takimi i fundit me të ishte ditën e premte kur më çoi në shkollë me veturë, pra datën 20 tetor, dhe prej asaj dite nuk e kam parë më.

Vdekja e babës është shumë e rëndë, por të mos dish se ku e ka trupin e ku e ka varrin është ndjenjë që nuk mund të përshkruhet me fjalë”, thotë ai për gazetaren e Dita-s, Entela Resuli.

I pyetur nëse kjo çështje po zvarritet nga të gjithë, Ardian Hoxha përgjigjet:

“Në ditën e sotme unë po filloj të mendoj se e gjithë kjo është një shfaqje teatrale dhe të gjithë liderët politik në Shqipëri janë në fakt miq të ngushtë, siç edhe doli që Fatos Nano të ishte mik shumë i mirë i Sali Berishës.

Nëse edhe z. Rama nuk e zbardh këtë rast i bie që edhe ai po e mbron Sali Berishën. Të presim edhe pak dhe koha le ta tregojë a është z. Rama i interesuar të luftojë krimin apo e ka vetëm për shoë mediatik të “kazanëve””.

Ndërsa i pyetur se çfarë do të bëjë, nëse kjo çështje nuk zbardhet nga shteti, Ardiani përgjigjet se nuk e përjashton as Kanunin.

“Edhe vetëm se baba do e meritonte angazhimin deri në zbardhjen e rastit, dhe fakti se babai im ishte një burrë i madh dhe figurë shumë e rëndësishme në çlirimin e Kosovës, kjo na bën që të mos ndalemi deri në burrin e fundit të familjes Hoxha.

Ne jemi shprehur që edhe Kanuni është si opsion, por akoma kemi besim se institucionet do angazhohen në zbardhjen e rastit”, thotë ai.

24 vite më parë, Remzi Hoxha është rrëmbyer e më pas zhdukur pa gjurmë, nga SHIK-u i Gazidedes dhe Berishës.

Familjarët e tij sot e kësaj dite nuk dinë çfarë është bërë me të dhe nuk kanë një varr ku të kenë mundësi të çojnë një tufë me lule./ tema