Bashkëbisedimin e drejtpërdrejtë me qytetarët kryeministri Edi Rama e ka nisur duke përmendur edhe një herë rastin e rëndë, të pak ditëve më parë, sipas të cilit djali i ka ngjitur koronavirusin prindërve të tij.

Duke folur për ngjarjen në Mirditë, Rama thotë se përpara se t’u përgjigjet pyetjeve, rëndësi ka përmendja e një fakti nga i cili mund të mësojmë të gjithë. Ky rast sipas Ramës tregon edhe një herë çfarë përgjegjësie të madhe kemi secili nga ne, në këtë kohë, sidomos ndaj atyre që janë më të rrezikuarit.

Rama thekson edhe një herë se duhet të sillemi të gjithë sikur jemi të sëmurë.

Pjesë nga fjala e tij:

“Përshëndetje siç thashë, jam këtu për një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me ju në përgjigje të shumë pyetjeve tuaja. Përpara se të nis përgjigjen e pyetjeve dua të vë në pah disa gjëra duke filluar nga një fakt që duhet ti shërbej të gjithëve si një mësim. Një fakt i konstatuar nga testimet që tregon qartë se çfarë përgjegjësie të madhe ka secili prej nesh në funksion të mbrojtjes së të afërmve të secilit prej nesh që sado ndëshkime të kemi, në fund të ditës gjithçka varet nga secili prej nesh. Në një luftë që nuk është kush ia hedh shtetit, por secili respekton rregullat. Që askush të mos i fusë të afërmve.

Një djalë që nuk duhet të lëvizte nga qyteti në qytet pa simptoma, në kundërshtim me rregullat, niset në një zonë tjetër të vendit se e kishte marrë malli për prindërit, dhe dy prindër të moshuar me probleme shëndetësore ai i rrezikon të dy duke i infektuar. Çfarë do të thotë kjo? Sidomos në kushtet kur ne do të hapemi? Kjo do të thotë se në fund të ditës se roja që nuk duhet të lëshojë istikamin është vetja jonë. Dëgjoj shumë, lexoj shumë dhe ju përgjigjem edhe nganjëherë me ndonjë shpullë në përgjigje për t’ju sjellë disave për jush që thonë broçkulla në vete, por ajo që dëgjoj shpesh është se thonë se dinë vetë të ruhen ndaj duhet të hapemi. Përgjegjshmëria e secilit prej nesh. Pse nuk më ka marrë malli mua për nënën time? Nuk dua unë të shkoj ta takoj atë? Por unë nuk mundem sepse zbatoj rregullin, ky rregull mbron mua dhe nënën time dhe të gjithë të afërmit e mi. Rregullat në këtë kohë janë për të na dhënë të gjithëve një kornizë sigurie dhe për të përcaktuar një vijë të kuqe që përkufizon qartësisht lirinë tonë. Ky rregulli përhershëm ka një komponent të ri, atë të mbrojtjes së jetës. Çfarë nuk thonë ca tipa. Dokrra me okë.” /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re