Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe këtë dekret e ka firmosur dje në marshimin që u zhvillua në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Në arsyetimin e tij presidenti shkruan se ky propozim është absurd dhe antikushtetues, pasi sipas tij “përmes kësaj nisme ligjore, mazhoranca synonte t`i jepte zgjidhje qëllimit të kahershëm të saj, rrëmbimit të kompetencave të Presidentit të Republikës, dhe kufizimit të rolit të Kreut të Shtetit në këtë proces, për të cilin kjo mazhorancë tashmë kishte nisur edhe një proces hetimor parlamentar shtesë ndaj vet Presidentit të Republikës”.

Kjo kërkesë e mazhorancës sipas presidencës përbën disa shkelje:

–përbën shkeljen më të rëndë të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve në një shtet të së drejtës;
– përbën tejkalim të kompetencave kushtetuese të Kuvendit në procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese;
– dëshmon shkelje të parimit të luajalitetit kushtetues;
– cenon legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese;
– dëshmon qartë se Kuvendi mono- partiak synon kapjen me çdo kusht të Gjykatës Kushtetuese për të emëruar kandidatë që gëzojnë mbështetjen vetëm të një force politike, duke rrëmbyer kompetencat e Kreut të Shtetit.

“Përpara paraqitjes së këtij propozimi antikushtetues dhe të pamoralshëm, përgjatë veprimtarisë së tij gjatë kësaj legjislature, Kuvendi i Shqipërisë ka kryer disa shkelje të rënda kushtetuese në dëm të qytetarëve shqiptarë dhe interesit publik, duke mbështetur dhe/ose duke lejuar shkeljen e parimeve themelore kushtetuese të shtetit të së drejtës, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, demokracisë, etj., veprime apo vendime këto që kanë sjellë rëndimin e jetës shoqërore në vend, duke e bërë të pamundur ushtrimin e demokracisë fuksionale, respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut; çka ka sjellë dhe largimin masiv të popullësisë në emigrim”, shkruhet në dekret.

Kujtojmë se me ndryshimet e propozuara nga PS, presidentit i vihet një afat prej 10 ditësh për të ftuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që të betohen në presidencë dhe nëse kjo nuk ndodh, anëtari betohet diku tjetër dhe ia dërgon me shkrim presidentit. Nga momenti që ai ia dërgon me shkrim presidentit, quhet gjyqtar i gjykatës Kushtetuese dhe vetëm në rast se ai refuzon të bëjë betimin mandati i tij përfundon.

LEXO: ARSYETIMET E PLOTA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re