Për të tretën ditë me radhë, banorët e Rinasit dhe fshatrave përrreth kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste, pas vendimit të ARRSH-së, për ta bërë këtë aks me një sens lëvizje, në përpjekje sipas autoritetit për të lehtësuar trafikun drejt aeroportit.

Në ndryshim nga premtimi që iu bëri dje qytetarëve, se po negocionte për të gjetur një zgjidhje, duke kërkuar ndërprerjen e protestës, sot kryeplaku i fshatit edhe vetë ishte i zhgënjyer duke mos marrë asnjë zgjidhje.

Kryeplaku i fshatit: Me zyrtarët nuk kemi pasur as bashkëbisedim, drejtori i ARRSH thotë që ka rrugë alternative, por nuk ka! Ne kërkojmë të vijmë te shkolla, në punë, kërkojmë të shkojmë te tokat bujqësore. Rruga që thotë ARRSH nuk zgjidh asgjë, është e njëjta situatë, unë nuk kam mundësi që të vij deri te rruga alternative.

Këtu penalizohen jo vetëm 3 fshatra, penalizohen edhe njerëzit që duan të shkojnë në aerport. Nuk çojmë dot fëmijët në shkollë, na kanë mbetur mbjelljet pa asnjë lloj shërbimi. Ata janë treguar shumë indiferent, nuk kanë ardhur fare që të bisedojnë me ne. Nuk kërkojmë as sherre asgjë, ne duam që të shkojmë në punë.

Qytetari: Ne duam vetëm që të na hapet rruga, nuk duam asgjë tjetër, protestën do ta vazhdojmë.

/faxweb