Gati nëntë muaj pasi një zjarr shkatërroi një kamp refugjatësh në ishullin grek të Lesbos, puna në qendrën e re të pritjes nuk ka filluar ende, megjithë premtimet se objekti do të ndërtohet para dimrit të ardhshëm, konfirmoi sot ministri grek i Migracionit Notis Mitarachi.

Autoritetet greke thanë se migrantët qëllimisht i vunë zjarrin shtatorin e kaluar duke protestuar për kushtet e akomodimit në kampin e mbipopulluar Moria.

Kampi ishte projektuar për më pak se 3,000 njerëz, dhe kishte 12,500 njerëz në të para zjarrit, dhe ai u mbyll për shkak të virusit corona që u shfaq mes migrantëve.

Ministri grek për migracionin tha se po zhvillohet një procedurë tenderimi për zgjedhjen e kompanive për ndërtimin e një kampi të ri me një kapacitet deri në 5,000 njerëz.

Ai tha se u desh kohë për të marrë lejet e nevojshme, si dhe për të finalizuar grantin për fondet e Bashkimit Evropian.

I pyetur nëse ai mund të garantonte që migrantët nuk do të duhet të kalonin një dimër tjetër në çadra, ai tha se edhe nëse kampi i ri nuk përfundon, qeveria do të sigurohet që “fotografitë nga kampi i përkohshëm në Mavrovouni” të mos shihen më kurrë.

Kampi Mavrovouni u ngrit urgjentisht pas zjarrit në Moria dhe fotografitë e njerëzve që jetonin në çadra të përmbytura dhe me baltë kanë qenë në faqet e para të mediave për muaj me radhë.

Komisioneri Evropian për Punët e Brendshme Ylva Johansson tha, pas bisedimeve me ministrin grek për Migracionin në Bruksel, se përparësia është t’u sigurojë migrantëve kushte të mira akomodimi përpara dimrit.

Greqia është një nga rrugët më të njohura për njerëzit që largohen nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia për shkak të luftërave dhe mjerimit. Shumica e tyre po përpiqen të arrijnë ishujt grekë nga bregdeti turk, me anije të mbushura me njerëz të trafikut njerëzor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re