Kandidati i PD-së për deputet, Ervin Salianji, u pyet nga të rinjtë në lidhje me djegien e mandateve dhe sa kjo ka ndikuar në miratimin e reformës zgjedhore në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste.

Ai tha se reforma fillimisht mori dakordësinë e palëve, por mazhoranca e theu këtë  marrëveshje.

“Reforma nuk është bërë  në mënyrë të njëanshme dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, por ka qenë një proces i garantuar nga ambasadorët, kur të gjitha palët u ulën në një tryezë.

Shkelja e marrëveshjes së dakrodësuar nga ndërkombëtarët erdhi nga PS, e cila bëri një ndryshim, pa pritur rekomandimin e Venecia dhe OSBE-ODIHR për ndryshimin ose jo të sistemit zgjedhor. Konsensusi është prishur nga PS”, tha ai.

Ai tha se opozita u detyrua të linte Kuvendin, për vetë faktin se mazhoranca nuk respektonte zërin e opozitës.

“Edhe nëse do ishin në parlament do ishte e njëjta situatë pasi mazhoranca nuk pyeste për rregullat, procedurat. Arsyeja se pse ne i lamë mandatet ishte që për të treguar qytetarëve dhe ndërkombëtarëve, që s’ka demokraci funksionale dhe qe ne nuk mund të bëhemi fasadë”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re