Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar mbi masakrën mjedisore që është duke ndodhur në Fier, ku prej 4 ditësh nuk shuhet zjarri që ka rënë në venddepozitimin e mbetjeve urbane, duke shkaktuar një ndotje të frikshme në qytet.

Basha thotë se djegia e plehrave bëhet për të justifikuar pagesat që qeveria i bën inceneratorëve, ndërsa fton të gjithë qytetarët që të ngrihen dhe të reagojnë. Kreu i PD-së thotë se regjimi në pushtet kërkon njerëz që nuk kërkojnë të drejtat dhe liritë e tyre, duke vdekur në heshtje edhe demokracinë.

Postimi i plotë i Bashës:

Shikojini këto imazhe të tmerrshme. Dita e katërt e katastrofës mjedisore në Fier. E njëjta skemë kriminale si në Durrës e Kavajë. Digjen plehrat, helmohen familjet, vetëm që të justifikojnë më pas pagesa të majme inceneratorëve me aksionerë mafian dhe qeveritarët e korruptuar.

Viktimat janë njerëzit që helmohen dhe vidhen. Hesht drejtësia, edhe pse ka muaj që PD ka depozituar në SPAK faktet: mbi 400 milionë euro të taksave të shqiptarëve që qeveria ja ka dhuruar inceneratorëve. Censurohet media: heshtje e blerë nga mafia e inceneratorëve.

Kështu e do regjimi Shqipërinë: pa të drejta, pa liri, pa të vërteta. Prandaj shkel ligjet, pasurohet duke vrarë shëndetin dhe ekonominë, grabit buxhetin e shqiptarëve, shantazhon dhe blen drejtësinë dhe median. Askush nuk mund të pretendojë se nuk e sheh dhe nuk e kupton.

Demokracia vdes në heshtje. Koha për të ngritur zërin! Për veten tuaj, për fëmijët dhe shëndetin e familjeve tuaja. Për taksat tuaja të vjedhura dhe të drejtat tuaja të dhunuara!

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko