Presidenti Ilir Meta publikoi në rrjetet sociale një video të vitit 2015, ku flet për kreun e PD Lulzim Basha, për të cilin shprehet se:  “do të dëgjoni çudi të mëdha”.

“Të dashur miq, Më këtë freskim kujtese, për një konstatim që në vitin 2015, ju uroj të gjithëve një fundjavë të mbarë, të paqtë dhe të gëzuar, përfshirë edhe “artistin” e Rilindjes”, shkruan Meta krahas videos.

Presidenti Meta ka zgjedhur këtë mënyrë për t’iu përgjigjur Bashës, i cili ditën e djeshme deklaroi se Meta i kishte shkatërruar fushatën PD dhe vetë LSI.

Ndërkohë në një reagim më herë presidenca thotë se Basha është një kryetar kukull dhe hipokrit dhe se i është ulur në gjunjë Metës me lot në sy në Gjermani ku i kërkonte që të anulonte zgjedhjet vendore të 2019.

“Hipokriti, që gjoja do përmbyste me dhunë regjimin në mitingun e 8 qershorit 2019, iu lut në gjunjë dhe me lot në sy Presidentit Meta, në Gjermani, për t’i anulluar zgjedhjet vendore se nuk i kontrollonte dot më njerezit dhe se mund të kishte gjakderdhje”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Presidencës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re