Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha së bashku me aleatët opozitarë kanë prezantuar sot (10 shkurt) Christopher LaCivita si drejtuesin e fushatës elektorale të PD për zgjedhjet e 11 majit.

LaCivita ka drejtuar edhe fushatën e presidentit të SHBA-ve Donald Trump.

Kryearkitekti i triumfit të Trump -u shpreh Berisha- do drejtojë fushatën tonë për fitoren në zgjedhjet e 11 majit

Sali Berisha u shpreh se Chris LaCivita është njeriu që pati fatin e madh t’i drejtohet kombit amerikan nga Mar-A-Lago natën e shpalljes së fitores nga presidenti amerikan.

“Këtu jam para jush me zotin Chris LaCivita, kryetarin e komitetit kombëtar republikan dhe bashkëkryetarin, bashkëarkitektin e fushatës së rikthimit me votën e lirë më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në të gjithë historinë e njerëzimit,që ishte rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Chris LaCivita dhe zonja Susanne Willis ishin bashkëkryetarë të fushatës më të pabarabartë në historinë e kombit amerikan.

Ata kishin përballë makinerinë propagandistike më gjigante të mashtrimit, manipulimit dhe censurës së mediave kryesore dhe polleve më kryesore të vendit, por pothuajse edhe të planetit, përfshi këtu edhe përpjekjet për përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve në SHBA me metoda terroriste. Por pavarësisht nga të gjitha këto, ky ekip arritën që presidenti Trump të fitojë mendjen dhe zemrën e shumicës dërrmuese të qytetarëve amerikanë dhe të shënojë njërën nga fitoret më spektakolare në historinë e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Zoti Chris LaCivita është njeriu që pati fatin e madh t’i drejtohet kombit amerikan nga Mar-A-Lago natën e shpalljes së fitores nga presidenti amerikan në krah të këtij të fundit. Koalicioni ynë ka zgjedhur, është i nderuar që kryearkitekti, një nga dy kryeartitektët e fushatës së fitores së datës 11 maj të jetë zoti Chris LaCivita”, tha Berisha.

Po ashtu, Berisha tregoi edhe arsyet pse u zgjodh bashkëpunëtori i ngushte i Trump për të drejtuar fushten e PD ne zgjedhjet e 11 majit. Sipas Berishes, kryearkitekti i fitores së Trump zgjodhi PD-në sepse ‘ne luftuam dhe mbrojtëm vlerat konservatore’.

“Me të drejtë, ju dhe ata që na ndjekin mund të shtrojnë pyetjen, si ka mundësi që bashkëkryetari i suksesit elektoral më të madh në histori, në mes të kërkesave më të panumërta, pranoi me përparësi kërkesën e PD dhe aleatëve të saj.

Natyrisht përgjigjen e vet e di vetë zoti Chris LaCivita. Por e vërteta është se PD dhe opozita shqiptare, si dhe Shqipëria, ishin vendi i dytë pas SHBA, në të cilën e majta radikale sorosiane, ideologu i saj, armiku i demokracisë, Xhorxh Soros dhe kukulla e tij, Antoni Blinken, gënjeshtar në letrën puçiste të laptopit të famshëm, duke mashtruar kombin e tij dhe botën për interesa politike, këta bënë në Shqipëri eksperimente tragjike.

Bënë gjithçka për zhdukjen e opozitës konservatore, de facto pluralizmit politik dhe instalimin e monizmit të bazuar në krimin, drogën dhe korrupsionin. Shqipëria, edhe njëherë theksoj, është sot kopshti i lulëzuar i Xhorxh Sorosit ku korrupsioni dhe droga dominojnë vendin. Ku lideri i opozitës u sanksionua pa asnjë provë, fakt apo dokument, por vetëm për t’i dorëzuar opozitën Edi Ramës.

Vendi, në të cilën drejtësia u shndërrua në armë të fuqishme të narkoshtetit, i cili në traditën e babait të tij biologjik, Kristaq Ramës, që vari në litar për vargjet e tij poetin disident Havzi Nela, arrestoi për motive politike dhe ndoqi penalisht tre liderë të partive kryesore opozitare.

Në përzgjedhjen e zotit Chris LaCivita për të drejtuar fushatën e fitores së PD, unë jam i sigurt se ka ndikuar fakti se PD dhe opozita shqiptare, përballë këtyre shantazheve dhe presioneve të jashtëzakonshme për zhdukjen e tyre, qëndruan të pamposhtura në mbrojtjen e vlerave dhe parimeve që konservatorët ndajnë në të gjithë botën.

Dhe mbi të gjitha, programi aktual i PD dhe opozitës është një program i shkëlqyer për të shpëtuar Shqipërinë.

PD dhe opozita qëndrojnë haptas, publikisht në krah të Partisë Republikane në fushatën e fundit, e bindur se kjo fushatë në SHBA ishte e një rëndësie jetike jo vetëm për SHBA, por edhe për botën.

Të nesërmen e fitores së presidentit Donald Trump, një publicist i njohur amerikan në radion e tij, Frank Gardner shkruante se në SHBA ndodhi mrekullia. Iu përgjigja se kjo fitore ishte një mrekulli për mbarë njerëzit e lirë kudo në botë”, u shpreh Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko