Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi, foli për FaxNews, mbi planin organizativ që do të zhvillojë kjo parti për të vijuar me fushatën elektorale në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, pasi vendi është i kufizuar përshkak të pandemisë globale.

“Në fakt situata e pandemisë për ne që merremi me organizimin politik të forcave tona besoj se edhe të tjerët duhet tëkenë të njëjtin problem na i ka vështirësuar komunikimin me strukturat tona. Ne si forcë e madhe dhe mjaft e strukturuar në territor kishim planifikuar që të kishim takime, gjithashtu kishim planifikuar që të kishim 12 takime të mëdhaja në bazë qarku me të gjithë ata që kanë aplikuar në platformën tonë për të qenë pjesë e grupit të ri parlamentar. 

Të gjitha këto janë anuluar dhe ne tashmë jo se u gjendëm në një situatë të papërgatitur sepse ne relativisht e prisnim që mund të kishim situata të tilla kufizuese dhe ne si forcë jemi organizuar edhe në aspektin online, kemi filluar që në korrik-gusht që të kemi komunikime online dhe të vendosura saktë në të gjitha strukturat tona, qoftë ato të nivelit të lartë në partitë tona në strukturat e partive tona nëpër bashki, apo qoftë edhe nëpër nivele të tjera të koordinatorëve tanë në secilin nga qarqet. 

Por gjithsesi ky është fillimi i një gjëje që e mendonim por sot duhet ta realizojmë dhe duhet ta organizojmë. Kuptohet kur je mësuar vazhdimisht të bësh fushata me shumë njerëz dhe ta transmetosh mesazhin tënd menjëherë tek një grup i madh njerëzish, të bësh takime të vogla me pak njerëz apo edhe takime online, kjo është një risi dhe ne jemi duke mësuar dhe duke parë dora-dorës sesi mund të organizohemi më mirë. 

Unë vetë kam qenë në zonë time, kam bërë dy takime të shkurtra me pak njerëz dhe mesa duket do të shkojmë drejt kësaj që pavarësisht takimeve online, sa do të na lejojë mundësia që ne të takohemi përsëri me njerëz, të mund të bëjmë këto takimet e vogla. Do të bëjmë më shumë takime me më pak njerëz”.

Pëllumbi theksoi mënyra e komunikimit online vështirëson përcjelljen e mesazhit tek elektorati gri. Duke bashkëpunuar më tepër me median dhe duke qenë më aktiv në rrejte sociale për të dhënë më shumë llogari për 8 vitet qeverisje.

“Kjo lloj mënyre të vështirëson që ti t’i afrohesh atij elektorati, i cili mund të jetë edhe një elektorati gri, ose i një elektorati i pavendosur, në këtë mënyrë e ke të vështirë që ti afrohesh me skemat tradicionale, që ne kemi vepruar deri tani. 

Besoj se do të shfrytëzojmë më shumë ju mediat, faqet online, rrjetet sociale për të qenë sa më prezentë për të transmetuar mesazhet, programe tona, por edhe për të dhënë llogari për këto 8 vitet të qeverisjes deri tani. Po ju them që nuk është e lehtë organizimi në këto kushte, të shpresojmë se do të ngelemi në këto kushte dhe të mos shkojmë në thellime të mëtejshme. 

Marr shkak për t’iu bërë thirrje qytetarëve që të tregohen të vëmendshëm, tu binden rregullave të cilat në fund nuk është as për qeverinë dhe as për partitë, kjo punë është për shëndetin e të gjithëve ne, dhe se shëndeti i çdo njeriu është më i rëndësishëm se çdo fushatë elektorale dhe çdo arritje që mund të kenë forcat politike”.

Lidhur me situatën e pandemisë dhe infektimin e disa prej kolegëve të tij, Sekretari Organizativ shprehet se askush nuk bën përjashtim, pasi edhe vetë ka kaluar kovidin. Gjithashtu ai thekson se popullsia duhet jetë më e kujdesshme për të respektuar masat antikovid.

“Në fakt Partia Socialiste dhe strukturat e saj nuk bëjnë përjashtim nga e gjithë popullata, sigurisht edhe ne kemi pasur kolegë tanë të sëmurë, kolegë që kanë vuajtur, apo që e kaluar më lehtë jemi pjesë e këtij populli. Unë bëj pjesë tek ata që e kanë vetë këtë sëmundje, duhet të jemi kujdesshëm, kemi përpara një dimër që përveç kovidit do të gërshetohet edhe me viruset e stinës që vështirësojnë situatën. 

Po shikojmë vendet e Evropës, përjashto Anglinë që po mendon të rihapet, askush nuk flet për këtë, po dëgjojmë OBSH-në që po flet për një valë të tretë. Në këtë aspekt duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe ky duhet të jetë prioriteti kryesor në raport edhe me fushatën edhe me organizimet tona dhe ne duhet ti shikojmë edhe këto organizimi në funksion të kësaj gjëje që është primare. Kjo është një luftë, të cilën ne duhet ta fitojmë dhe ne duhet të dalim të fortë. 

Kemi humbje jetë njerëzish, shpreh ngushëllimet për të gjithë ata që kanë njerëz. Unë vetë kam humbur njerëz gjatë kësaj periudhe kjo nuk është një shaka duhet ta marrim të gjithë seriozisht për të pasur sa më pak dëme dhe për të dalë sa më të fortë nga kjo punë. Pastaj sigurisht do të bëjmë edhe punën tonë të organizimit partiak sepse kemi një fushatë elektorale përpara, duhet të përballemi edhe me njëri-tjetrin por edhe me elektoratin i cili ka të drejtën e tij që të dijë për kë dhe si të votojë”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re