Ish kandidati për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli ka dhënë një intervistë për Fax News nëpërmjet një lidhje “skype” ku ka folur lidhur me Kuvendin e partisë Demokratike që u mbajt ditën e sotme.

Ndër të tjera, Kadilli pranoi disa ndryshime për mirë që kishin ndodhur brenda PD-së, por shtoi se Berisha nuk ishte ajo çfarë i duhej partisë Demokratike. Sa i përket pyetjes nëse do të kandidojë për kreun e PD-së në 22 maj, Kadilli u shpreh se një garë ku ishte i pranishëm Berisha nuk ishte më garë.

Kadilli: Unë e cilësoj veten një kritik dhe propozues. Mbi të gjitha që duke nisur nga momenti që kam shpallur kandidaturën time për kryetar përballë Bashës, kam bërë disa propozime të cilat sot edhe pse jo plotësisht, janë implementuar pjesërisht.

Kryetari vjen me një projekt politik, do e drejtojë për mandatin që i është votëbesuar dhe më pas partia të mbetet. Ndërsa këtu problemi është se kryetarët nuk merren me projektin politik por merren me idenë sesi të kontrollojnë partinë jetë e mot. Kjo ka ndodhur me Berishën, ka ndodhur me Bashën dhe do ndodhë sërish me Berishën në të ardhmen.

Pyetje: A do e sfidoni Berishën në një garë për kryetar partie?

Kadilli: Në njëgarë ku futet zoti Berisha, ajo nuk është më një garë reale. Mjafton të shihni folësit e sotëm që janë të gjithë figura politike. E nisin fjalimin e tyre duke thënë: i nderuar zoti Berisha. Duhet t’i flasin partisë dhe njëri-tjetrit jo t’i bëjnë lavde kryetarit të vjetër dhe të ri. Kjo mua nuk më pëlqen, sepse tregon mendësi dhe e refuzoj këtë lloj kulture.

Pyetje: A ka patur ndryshime brenda PD gjatë kësaj kohe?

Kadilli: Sigurisht, duhet të jesh shumë cinik për mos ta pranuar organizimin e primareve, zgjedhjet për krerët e degëve, zvogëlimi i numrit të anëtarëve të Kuvendit etj.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re