Ndërsa po vijojnë votimet për Presidentin e ardhshëm të ShBA, Donald Trump ka dhënë një intervistë për “Fox & Friends” duke thënë se ka besim se do e marrë sërish mandatin për të drejtuar edhe për katër vjet Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky vit pritet të shohë një pjesëmarrje rekord të votuesve, pasi gati 100 milion njerëz kanë dhënë votën e tyre më shpejt. Megjithatë, është plotësisht e mundur që vendi të mos ketë një rezultat kur sondazhet mbyllen natën e së martës, pasi disa shtete kryesore po lejojnë të numërohen fletët e votimit me postë ndërsa ato vazhdojnë të dorëzohen edhe gjatë disa ditëve të ardhshme.
Trump është i zhgënjyer për këtë dhe ka pretenduar vazhdimisht që amerikanët duhet të mësojnë rezultatin që në ditën e zgjedhjeve. Më parë është raportuar se Trump do të deklarojë fitoren para se të përfundojë plotësisht numërimi i votave, por këtë e ka hedhur poshtë.
“Është raport i rremë. Do të njoftoj vetëm kur të kem fitore dhe nuk ka asnjë arsye për të luajtur lojëra”, tha Trump në intervistën e dhënë nëpërmjet një lidhje telefonike në mëngjesin e së martës. (A.M/Faxweb.al)
/faxweb
