Nënkryetari i PD-së së Rithemelimit, Luçiano Boçi, ka denoncuar kërcënimet me jetë që sipas tij i janë bërë ekspertit të IT-së, Gent Progni.

Në një deklaratë për mediat, Boçi thekson se kërcënimet ndaj ekspertit kanë ardhur pasi ai ka denoncuar dhjetëra skandale të AKSH-it dhe të departamenteve të tjera të qeverisë Rama.

“Është kërcënuar me jetën e të birit”, u shpreh Boçi, ndërsa theksoi se Prognit i ka ardhur një email ku thuhet: vazhdo jepi gojës dhe do gjesh kufomën e djalit tënd!

Ndër të tjera ai shprehet se këto kërcënime “janë përpjekje për të trembur popullin opozitar, që tubohet prej 43 ditësh te Rruga e shpresës, dhe do të derdhet lumë më 20 shkurt në protestën kombëtare të Tiranës.”

Deklarata e Luçiano Boçit:

Gent Progni, eksperti IT, që ka denoncuar dhjetëra skandale të AKSH-it dhe të departamenteve të tjera të qeverisë Rama, është kërcënuar me jetën e të birit.

Në një email të ardhur në adresë të tij thuhet shprehimisht: vazhdo jepi gojës dhe do gjesh kufomën e djalit tënd!

Partia Demokratike e dënon me ashpërsinë më të madhe kërcënimin e z. Progni dhe bën thirrje organeve të ligjit të fillojnë menjëherë hetimet dhe të gjejnë kërcënuesit.

Kërcënuesit dihen, ata janë të së njëjtës vathë politike që morën në telefon nga burgu apo jashtë tij, edhe ish-numrin 2 të qeverisë së Rilindjes, Arben Ahmetaj

Përveçse si shenja të degjenerimit të pushtetit dhe të zullumit të vjedhjeve pafre, Partia Demokratike i sheh dhe i dënon këto kërcënime edhe si përpjekje për të trembur popullin opozitar, që tubohet prej 43 ditësh te Rruga e shpresës, dhe do të derdhet lumë më 20 shkurt në protestën kombëtare të Tiranës.

Gent Prognit i ofrojmë mbështetjen dhe inkurajimin tonë dhe e falënderojmë për punën patriotike për zbulimin dhe denoncimin e skandaleve të AKSHI-t të qeverisë

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit vazhdon prej kohësh të prodhojë e megaskandale, më shumë se të mbrojë informacionin e shqiptarëve.

Ajo është bërë pjesë e një aktiviteti të paligjshëm të prodhimit të kripto-valutave apo ‘Crypto-mining’ të cilat në Exchange përkthehen në para. Ky skandal është zbuluar nga Drejtori Rajonal i Microsoft dhe një nga blogerët më të mëdhenj të hakerimeve në botë Troy Hunt.

Skandali është bërë publik nga eksperti i teknologjisë së informacionit Gent Progni. Kjo është arsyeje e kërcënimit të Prognit me jetën e të birit.

Troy Hunt pas blerjes së një kompanie të falimentuar të quajtur ‘Coinhive’ në vitin 2021 ka zbuluar se ‘Coinhive’ kishte një sistem, të cilin, kushdo që kishte një faqe ëeb, mund ta instalonte në faqen e tij ëeb dhe të prodhonte kripto-valutë me ‘user’-at që e klikonin këtë faqe.

Ai zbulon se kishte mbi tetëmijë faqe ëeb në botë që bënin kërkesa për prodhim kripto-valute tek ky ‘domein’. Në këtë listë ndodhen 25 adresa shtetërore ndër to instat.gov.al; qsha.gov.al (Qendra e Shërbimeve Arsimore); mb.gov.al (Ministria e Brendshme), KQZ dhe DAP (Departamenti i Administratës Publike).

Kjo çështje është nën hetim nga SPAK dhe për këtë drejtuesja e AKSH Mirlinda Karçanaj po mundohet të fshehë çfarë të mundë. Ortakët e saj po shkojnë, siç e shihni, deri te kërcënimet.

Shqiptarët duhet ta dinë të vërtetën: se janë të zhveshur nga çdo siguri mbi të dhënat personale të tyre, dhe se zyrat shtetërore veprojnë si kioska exchange për pasurimin e zyrtarëve.

Shqiptarët nuk do të shohin kufomën e asnjë bashkatdhetari të tyre, por kërmën e qeverisë e cila është një e vdekur e pakallur, bashkë me hajdutët profesionistë të monedhave cash apo virtuale me Edët, Olsët dhe Amantët në krye.

Më 20 shkurt mblidhemi në Tiranë për ta përcjellë këtë kufomë aty ku e ka vendin.

O sot o kurrë!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re