15 maj Për qarkun e Beratit do të hapen kutitë në 24 qendra votimi, pas kërkesës ankimore të LSI-së ku kërkon rinumërim në këto qendra zgjedhore.

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS ) vendosi sot administrimin dhe marrjen si prova të disa prej materialeve dhe dokumenteve për 24 qendrat e votimit dorëzuar nga LSI, duke kërkuar nga administrata e KQZ që të merret me transportin dhe hapje e kutive të këtyre qendrave të votimit.

Ankesat e LSI është se kutitë në këto qendra votimi janë mbushur ku ka më shumë fletë votimi se votues dhe se në disa prej tyre mungon dhe regjistri se kush ka votuar, prova që janë pranuar të administrohen nga KAS.

Fillimisht do të bëhet administrimi i provave të nxjerra nga procesverbalet dhe regjistri i zgjedhësve në këto qendra votimi për të parë nëse ka gabime apo mospërputhje të të dhënave dhe më pas do të ketë një vendim tjetër nëse do të ketë rinumërim apo jo të votave në këto kuti votimi.

Seanca e drejtuar nga anëtari i KAS, Elvis Çefa tha se si provë ka pranuar edhe kërkesën e PD-AN për të dhënat e kryqëzuara nga pajisja e identifikimit elektronik të zgjedhësve, ku PD-AN pretendon se ka pasur votim të dyfishtë apo familjar.

Ndërkohë, KAS ka hedhur poshtë kërkesën e PD-AN për marrjen e informacioneve dhe provave shtesë.

Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Ivi Kaso e cilësoi këtë vendim të paligjshëm, pasi sipas tij, KAS e ka detyrim ligjor që t’i vërë në dispozicion palëve garuese në zgjedhje prova që ata vetë nuk kanë mundur t’i sigurojnë.

“Ngarkohet administrata e KQZ-së për të marrë të gjitha masat për transportin dhe hapjen e kutive të sipërpërmendura për administrim e provave të sipërcituara. KAS me shumicë votash vendosi mospranimin e kërkesës së PD-AN për marrjen e provave dhe informacioneve shtesë të cituara në kërkesën ankimore. Me kërkesë timen dhe Ledio Brahos, dy anëtarëve të KAS, vendosëm të administrojmë si provë të dhënat e kryqëzuara së pajisjes së identifikimit elektronik të zgjedhësve të zonës zgjedhore qarkut Berat për të bërë të mundur evidentimin e votimeve të dyfishta ose familjare sipas pretendimit të bërë nga PD-AN”, tha anëtari i KAS, Elvis Çefa./m.m/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re