Kryeministri Edi Rama mori pjesë në seancën e parë plenare në Kuvend, ku u miratuan tre akte normative për furnizimin e Shqipërisë me vaksina anti Covid. Në fjalën e tij, Rama nuk la pa përmendur deklaratën e Pfizer që la të pakënaqur shumë shtete të BE në lidhje me reduktimin e dozave të Covidit për disa javë pasi do të rriste kapacitetet prodhuese.

Sipas kryeministrit, qeveria shqiptare është përgatitur për çdo gjë. Ndër të tjera, nuk la pa komentuar bisedën me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për transparencën që duhet të bëjnë personat e vaksinuar për nivelin e antitrupave, veprim që sipas tij do të “heqë çdo sekëlldi të krijuar nga tralala-të e mediave”.

Edi Rama: Ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar sipas skenarit të parë, atij ambicioz dhe përmes votimit sot, hapet rruga për të marrë sipas marrëveshjes së dakordësuar në parim që e kam bërë publike kur kam thënë se dozat e para të vaksinave do të vijë brenda muajit janar dhe mundësisht brenda javës së tretë dhe pastaj shkallë shkallë do të marrim të gjithë sasinë e dakordësuar dhe mund të porosisim një sasi tjetër apo të tjera edhe nga Pfizeri, gjë që e kemi garantuar. Mbase ju ka rënë në sy edhe nga fakti që Pfizeri bëri një deklarim publik se ka krijuar pakënaqësi për shtyrjen me një javë të të gjitha vaksinave të veta për të rritur prodhimin dhe për të krijuar kushtet e prodhimit.

Ne jemi plotësisht të përgatitur dhe qendra e vaksinimit në Tiranë, e cila është hapur dhe po funksionon për mjekët dhe infermierët në kontakt me rrezikun potencial nga infektimit, të shtrihet në Shkodër, Vlorë dhe pastaj në të gjitha pikat e përcaktuara në plan, në mënyrë që aksesi i njerëzve të shëndetësisë por edhe moshave të thyera të jetë sa më i lehtë. Më pas do të bëhet degëzimi i infrastrukturës së vaksinimit për ta çuar vaksinimin në çdo qark e Bashki.

Vaksinimi ka dy efekte të menjëhershme, njëri është i drejtpërdrejtë tek personi që vaksinohet, tjetri tek këputje.  Sipas studimeve të bëra, rritja e përqindjeve sjell një ulje të vazhdueshme, thuajse simetrike të personave të prekur. Kur them simetrike kam parasysh një numër të shumëzuar për dy, shpesh për tre dhe kjo na jep mundësinë që ta shikojmë me shumë optimizëm gjashtë mujorin e dytë të këtij viti duke pasur parasysh që procesi do të ecë i patrazuar nga luhatjet e mundsshme të kompanisë në furnizim.

Sigurisht që në momentin që kompania do të bëjë furnizimin e parë për 10700 vaksinat e para, do të ndjekim të njëjtin proces për të hequr dhe çdo sekëlldi të krijuar nga të gjithë këto lloj “tralalash” të krijuar në media e rrjete sociale. Kam biseduar me ministren që sidoqoftë, pjesa që ka bërë vaksinën, kurdo që të duhet të marrë dozën e dytë, të bëjë transparencë mbi antitrupat për të parë që realisht vaksina është marrë, ajo që thuhet dhe ka bërë të gjithë efektin e parashikuar.

(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re