Aktivisti dhe pedagogu Erion Kristo, teksa ka qenë në një tryezë me organizata ku kërkohet ndryshimi i sistemit, ka bërë thirrje që dhe vetë partitë politike të reagojnë ndaj kërkesës së qytetarëve.

Kristo tha se është e papranueshme që politikanët në këtë vend, nuk arrijnë të dëgjojnë zërin e 50 mijë qytetarëve që kërkojnë ndryshimin e sistemit, që sipas tij asnjë model nuk mund të jetë perfekt, por ama listat e hapura, i japin një ballafaqim më të drejtë qytetarit me të zgjedhurit e tij.

“Sot që po flasim asnjë parti politike nuk ka një platformë për demokracinë, shqiptarët sot kanë nevojë që të ndryshojnë marrëdhënien me politikën dhe me demokracinë. Unë jam për variantin e shqipeve të Dardanisë, ku një qytetar ka në dorë 5 fishekë, dhe ja ngul në ballë kujt të dojë, nuk jam për sistemin danez. Çdo sistem mund të marrë vërejtje dhe kritika, ama qytetari duhet të ketë në dorë sistemin, për mua kjo është gjëja më me vlerë.

Nuk ka ide më të mirë që ka ngjitur në opinionin publik sesa listat e hapura, unë nuk e di se kush janë ato parti politike që tallen me më shumë se 50 mijë firmat e shqiptarëve, që kërkojnë ndryshimin e sistemit. Është një votë plebishitare e tyre për ndryshim.

Ne duam një shpresë të re, duam një dëshirë të re, edhe militantëve do t’iu bënte mirë kjo gjë, është gati 1 e treta e njerëzve që nuk duan të jenë pjesë e asnjë force politike, se nuk e gjejnë veten e përfaqësuar aty. Për mua në rast se qytetari do të merrte në provim politikanët do të ishte një gjë e mirë për demokracinë, dhe kjo gjë duhet të ndryshohet.

Ndryshimi i sistemit përveçse do të zvogëlonte portofolët e politikanëve, do tiu bënte mirë që të kuptonin dhe sesa u vlen lëkura, ftoj të gjithë ata njerëz që kanë dy pare mend, që ky sistem i ri i bën mirë dhe atyre vetë, do të bënte një shoshitje dhe një sitje të politikanëve”, u shpreh Kristo.

Ai ka qenë pjesë e një lëvizje që prej kohësh së bashku me Nismën Thurje kërkon ndryshimin e sistemit në vend, por që nuk është pranuar derimë tani nga forcat e mëdhaja politike, të cilat e nxorën jashtë diskutimit këtë temë në tryezën e Këshillit Politik.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re