Kryeministri Edi Rama paralajmëroi të gjithë shqiptarët të cilët përdorin “VPN” për të hapur në mënyrë të paligjshme Tik Tok-un, mund të përballen me një rrezik akoma edhe më të madh.
Rama iu bëri thirrje prindërve që të tregojnë kujdes në mënyrë që fëmijët të mos përdorin VPN pasi hackerat mund t’i vjedhin të dhënat e tyre.
“Procedura për mbylljen e “TikTok” ka përfunduar për telefonat smart dhe nga ana tjetër, mënyra për t’ju shmangur bllokimit duke përdorur VPN falas është shumë e rrezikshme pasi dihet botërisht se hackerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit. Kijeni parasysh këtë gjë dhe duroni pa “TikTok” për ca kohë deri kur të përfundojmë programin e përbashkët me kompaninë, e cila do të vijë së shpejti në Shqipëri dhe do të paraqesë planin për adoleshentët.
E kam si këshillë për të gjithë ata që do dëgjojnë VPN falas, mos i hyni asaj rruge, se janë hapja e shtegut për të humbur të dhënat që keni në telefon se hakerat janë aty gati t’ua gllabërojnë të dhënat.
Kujdes me telefonat prindër, nëse fëmijët u fusin VPN u morën në qafë. Falas falas, po është një dardhë që e ka bishtin mbrapa”, tha Rama.
