Deputeti demokrat Belind Këlliçi nga studio e Radarit Informativ i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha për deklaratat e bëra sot në përfundim të dhënies së dëshmisë së tij në prokurori për protestën e 8 Janarit. Këlliçi tha se Basha sot bën akuza ndaj Berishës që nuk ka guxuar t’i bëjë as Edi Rama në frontin e kundërshtarit politik. Në këtë pikë ai u shpreh se faji më i madh politik i Berishës, është mbështetja që i ka bërë Bashës.

“Deklaratë më të turpshme se kjo nuk mundet të bëjë një politikan. Bën akuza që nuk ka guxuar as Edi Rama t’i bëjë. Kjo vjen nga ish ministri tre herë i Sali Berishës. Nga kryetari i bashkisë që nuk la as gjurmë. Berisha ka fajin më të madh politik të tij që e imponoi Lulzim Bashën dhe e mbajti tre herë në krye të partisë. Nëse Edi Rama betonizoi Tiranën.

Unë nuk po e akuzoj Bashën. I vetmi ministër i shigjetuar gjatë qeverisë së demokratëve ka qenë Basha. Ai nuk mundet sot të dalë dhe të flasë për Berishën me një gjuhë që nuk flet as partia socialiste. Befas ai u kujtua që Berisha qenka ai i vitit 1997 dhe harroi që ai ishte i preferuari i Berishës. Deklaratat e tij janë 180 grada të kundërta me atë të datës 9 shtator kur fliste për drejtimin e jashtëzakonshëm të Berishës”, u shpreh ai.

Në lidhje me deklaratat e bëra edhe Spartak Braho se në protestën e 8 Janarit do të kishte viktima, Këlliçi deklaroi se nuk mund t’i besohet atij për çështjet brenda partisë.

“Ka budalla që e beson këtë? Do më tregojë mua Spartak Braho? Do marrim seriozisht Spartak Brahon në vitin 2022? Të na tregojë ne punën e partisë Spartak Braho. Sot Lulzim Basha mbështetet në armiqtë më të egër të Partisë Demokratike. Edi Ramën e ka telefonuar 6 herë Baton Haxhiu që të mbrojë Bashën. Si është e mundur këta mbrojnë Bashën sot dhe luftojnë PD-në. Teatri më i madh është këtu”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re