Altin Dumani, kryetari i SPAK gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka ngritur si shqetësim përfundimin e mandatit të prokurorëve të Posaçëm Anti-Korrupsion, të cilët sipas ligjit nuk kanë të drejtë të rikandidojnë në detyrën aktuale.
Dumani tha se janë rreth 9 prokurorë të cilët në përfundim të mandatit 9 vjeçar në SPAK, do detyrohen të kthehen në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, ndërkohë që është shprehur se në këtë institucion do të krijohet një boshllëk deri në zëvendësimin e tyre.
Kreu i SPAK ka kërkuar nga KLP që këta prokurorë të cilët kanë mandat 9 vjeçar, t’u jepet mundësia që nëse duan të kandidojnë sërish për një mandat tjetër 9 vjeçar.
Sipas tij kjo do të ndihmonte SPAK, pasi në prokurorët aktual është investuar shumë, qoftë nga shteti shqiptar, por edhe nga partnerët e huaj.
“Dua të ndalem pak të statusi i prokurorit të SPAK, ligji thotë që pas mbarimit të mandatit 9 vjeçar të kthehen në prokurorinë ku kanë ushtruar më parë funksionet.
Një pjesë e prokurorive për shkak të ndryshimit të hartës nuk ekzistojnë. Aktualisht ligji thotë që kthehesh në vendin ku ke qenë. Unë vij nga Apeli dhe aty jam shumë në rregull.
Klodiani (Braho), vjen nga Krimet e Renda dhe unë nuk di ku do shkojë, sepse krimet e rënda nuk ekzistojnë më, u suprimuan. Kjo është një paqartësi.
Është investuar aq shumë tek këta prokurorë, nga shteti shqiptar, por edhe nga partnerët për ngritjen e tyre profesionale sa që unë mendoj që këta janë një aset që duhen shfrytëzuar, jo një aset që e përdore sa e përdore, jo në kuptimin negativ të fjalës dhe pastaj pas 9 vjetësh, shko në një prokuror të juridiksionit të Përgjithshëm.
Edhe nga provoja ime ne nuk e kemi luksin që këto asetet t’i çojmë në një vend tjetër. Këtu besoj biem dakord që ne nuk kemi aq shumë burime njerëzore dhe aq prokurorë të kualifikuar dhe me integritet sa që të plotësojnë boshllëkun që do krijohet.
Pse është shumë e rëndësishme të kuptohet që në të njëjtën kohë do ikin 9 prokurorë të SPAK njëherësh… Si do mbushet boshllëku?!
Ka dhe disa kritere të veçanta që duhet të jesh prokurorë me eksperiencë 9 -10 vite. Ky është mendimi im, nuk jam për vazhdim automatik të mandatit, por të paktën ti jepet mundësia që të rikandiojë edhe për një mandat tjetër 9 vjeçar. Pastaj është dhe çështje zgjedhje, unë në përfundim të 9 viteve mund të jem i lodhur dhe nuk do dua të vazhdoj më në SPAK. Më mjaftojnë 9 vjet, por ka prokurorë të tjerë që mund të duan të vazhdojnë të japin kontribut në një institucion ku kaluan 9 vite të punës së tyre”, tha Altin Dumani.
Ndërkohë që gjatë fjalës së tij, Alfred Balla, kreu i KLP ka shprehur mbështetjen për një iniciativë të mundshme ligjore që mund t’i drejtohet Kuvendit.
“Zoti Dumani, KLP ju ka mbështetur dhe do t’ju mbështesë gjithmonë edhe në krijimin e iniciativave ligjore”, tha Alfred Balla.



