Kryeministri Edi Rama është shprehur se mandati i katërt i duhet edhe për të mbyllur legalizimet. Ai shtoi se këto punë nuk mund t’i mbyllë Sali Berisha, për të cilin thotë se i ka shpallur ndërtimet pa leje si mrekullinë e tetë të botës.
Rama tha se Kamza dhe Bathorja sot kanë dalë në dritë, me shkollat më të mira, me rrugë dhe kanalizime.
“E di sa legalizime janë bërë në një dekadë. 270 mijë. Mbeten edhe 60 mijë tjera. Prandaj duhet madati i katërt.
Kush do t’i mbyllte legalizimet, që i promovoi ndërtimet pa leje si mrekullinë e 8-të të botës. E di si ka thënë bufi kur shkoi njëherë më Bathore; ju keni bërë mrekullinë e tetë të botës, keni ndërtuar të parin qytet të botës pa leje, në historinë e legalizimeve.
Shko pyeti pak në Bathore dhe Kamëz tani çfarë mendojnë. Kanë dalë në dritë. Ka dalë Kamza dhe Bathorja në dritë, kanë shkollat më të mira, kanë rrugë, kanë kanalizime. Nuk i mbajnë fëmijët në krahë për t’i çuar në shkollë, nuk ecnin dot fëmijët, humbin nëpër gropa. Duhet pesa që të fusim Shqipërinë në BE”, tha kreu i qeverisë.
Ndër të tjera ai foli edhe për sa mandate mund të sigurojë PS në këto zgjedhje, duke thënë se do të ketë më shumë sesa ato që ka, por një numër do ta japë më vonë.
“Ne do marrim më shumë mandate sesa kemi. Sesa do marrim do ta them me shkrim me Kuç, aty te vendi. Po më duhet edhe pak kohë të kuptojmë tamam se ku jemi. Afër jam, sepse ne bëjmë anketime”, tha Rama.