Kamera e FaxNews ka kryer ditën e sotme një inspektim në ambientet e jashtme të spitalit ‘Onkologjik’, ku u vunë re radhë të gjata të qytetarëve të cilët prisnin në diell për të marrë ilaçet. Në një prononcim të tyre qytetarët shprehën ankesën e tyre si të sëmurë që u duhet të presin në temperatura tepër të larta për të siguruar medikamentet e tyre.

‘Do më bie infarkt këtu në këmbë’ u shpreh një i sëmurë teksa priste radhën për të marrë ilaçet.

“Rrimë në diell. Nuk ka gjë më të vështirë se të rrish në këto temperatura këtu, do më bie infarkt këtu në këmbë. Nuk kam as vizitë asgjë, sa të shikoj përgjigjen e analizës dhe t’i jap recetën doktoreshës t’i marr ilaçet.  Prit këtu më thotë sa të dalë ajo çdo gjysëm ore. Më thotë rri këtu në diell kot. Nuk ka më të vështirë të rrish në këtë vapë”, tha një prej qytetarëve.

Një tjetër qytetar u shpreh se është e kuptueshme radha për të kryer një vizitë, por në këto temperatura dhe në situatën e sëmundjes së tyre është e pamundur dhe e pakuptueshme të rrihet në radhë për ilaçet.

“Ne jemi të sëmurë dhe nuk vijmë këtu kot ne nuk mundemi të rrimë këtu në diell. Na thonë që nuk ka orar për ilaçet. Mund të ketë radhë për vizitat por jo radhë për marrjen e ilaçeve”, u shpreh një tjetër qytetar.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re