Një shtetas turk është arrestuar nga policia kufitare e Qafë Thanës pasi akuzohet për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Sipas burimeve M.T, kishte fshehur në një kamion 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE, kundrejt shumës 4000 euro për person.
Shtetasi turk i kishte fshehur emigrantët në pjesën e brendshme të trailerit, të cilët janë zbuluar pas kontrollit nga autoritetet në Qafë Thanë.
Njoftimi i policisë:
Qafë Thanë, Pogradec
Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.
Policia Kufitare e Qafë Thanës godet një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
U kap duke hyrë në territorin e Shqipërisë me 4 emigrantë të paligjshëm në kamion, vihet në pranga një shtetas turk.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut, kanë kaluar për kontroll më të imtësishëm në vijën e dytë dhe në skaner, mjetin tip kamion të markës “Daf”, me drejtues shtetasin M. T., 49 vjeç, banues në Stamboll, Turqi. Në pjesën e brendshme të trailerit të kamionit, u gjetën 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 4000 euro personi, 49-vjeçari iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Veprimet e mëtejshme u kryhen nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. T., për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për hetime të mëtejshme.
…
/faxweb
