Pas votimit me 75 vota pro  për heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit, Sali Berisha në Parlamenti, lideri i PD  ka mbajtur fjalën e tij para protestuesve të mbledhur para Kuvendit.

Ndër të tjera, Berisha tha se do të protestohet para të gjithë institucioneve të këtij narkoshteti dhe ftoi të gjithë infrastrukturën e opozitës që të mobilizohet me të gjithë forcat e saj për të udhëhequr ata që duan të ngrihen në protestë.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Gjatë këtyre muajve ju keni parë se ne kemi denoncuar me fakte, me dokumente zyrtare, vjedhjet e paimagjinueshme të Edi Ramës dhe qeveritarëve të tij. Të Edi Ramës dhe familjarëve të tij.

Unë e di çfarë ndjen ai kur nga selia e PD paraqitet dokument pas dokument, për abuzimin, për vjedhjet, duke shfrytëzuar pushtetin e tij, që bëjnë anëtarët e familjes.

Por kjo nuk mund të na detyronte ne që të mos i thonim shqiptarëve të vërtetën, se ky shushunjë vjedh me të gjithë tentakulat e tij.

Ne nuk mund të heshtim para aferave që arrijnë në 1 miliard.

Ne nuk mund të heshtim kurrë përpara xhelatëve të ligjit, të të drejtës, në zyrat e shtetit, para skapistëve amoralë, të cilët amnistojnë vjedhje që arrijnë dhe do arrijnë në 1 miliard euro.

Amnistojnë vjedhje që ju kanë kushtuar ju me mijëra jetë.

Amnistojnë vjedhje, për shkak të të cilave çdo muaj, 1 mijë shqiptarë nuk janë operuar dot.

Amnistojnë vjedhje, në të cilat 1 kilometër rrugë, kushton njëlloj si të lahesh në flori, 1 km rrugë kushton 24 herë më shumë se në vendet anëtare të BE.

A mundet ne të qëndronim indiferent ndaj kësa? Jo, kurrë.

Edi Rama, përveç kabinetit, ka krijuar me reformën e Xhorxh Sorosit, organet e drejtësisë si seksione të Partisë Socialiste.

Janë seksione krimi ato që amnistojnë Erion Veliajn, janë seksione krime ato që amnistojnë Ilir Beqajn, janë seksione superkrimi ato që amnistojnë Edi Ramën.

Le t’u themi ne sot këtu se verdikti juaj, verdikti i shqiptarëve nuk do të kursejë asnjërin prej tyre.

U drejtohem sot drejtuesve të degëve, kryesive të degëve, kryetarëve, të gjithë infrastrukturës drejtuese të PD, është koha të mobilizoheni me të gjithë mundësitë dhe forcën, me anëtarësinë tonë, mbështetësit tanë, simpatizantët tanë.

Është koha të bëhemi zëdhënës të atyre që duhet të ngrihen o sot o kurrë për veprim.

Është koha të jemi në krye të atyre, në krye të guximtarëve. Është koha të jemi në krye për t’i udhëhequr ata drejte fitores.

Në qoftë se ne, nuk i udhëheqim ata, nuk i frymëzojmë ata, ne kryejmë aktin e tradhtisë më të lartë ndaj tyre, ndaj opozitës, ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Ne jemi shpresa e vetme e tyre.

Në guximin tonë, në trimërinë tonë, në misionin tonë, varet më shumë se nga çdo tjetër, përveç Zotit, fati dhe e ardhmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë betejën të patundur, të pamposhtur dhe ju garantoj se siç dështoi regjimi i krimit të mposhtë opozitën më 9 shtator, do dështojë sot shumë më më me turp.

Fitorja jonë është e sigurt!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re