Zvicra do të përpiqet për lidhje më të ngushta të mbrojtjes dhe sigurisë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, duke ruajtur neutralitetin e saj tradicional, njoftoi të mërkurën qeveria zvicerane.

Dokumenti politik i miratuar nga qeveria zvicerane gjithashtu kërkon forcimin e fuqisë ushtarake të vendit pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, raporton Reuters.

Raporti përfundon se është në interesin e Zvicrës që të orientojë politikën e saj të sigurisë dhe mbrojtjes në mënyrë më të qëndrueshme se më parë drejt bashkëpunimit ndërkombëtar.

Shtohet se ka shanse të mëdha për zgjerimin e bashkëpunimit politik në Evropë, veçanërisht me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, për të forcuar aftësitë mbrojtëse të vendit, duke respektuar neutralitetin.

Reuters vëren se kjo mund të përfshijë pjesëmarrjen më shumë në stërvitjet e përbashkëta, zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak, intensifikimin e lidhjeve ekzistuese nëpërmjet Partneritetit për Paqe të NATO-s ose bashkimin me ekipet e vendosjes së shpejtë të BE-së për operacionet e shpëtimit dhe evakuimit.

Por theksohet se afrimi me aleancën ushtarake do të shënonte një largim nga tradita e ushqyer me kujdes të mos-angazhimit që mbështetësit e saj thonë se e ndihmoi Zvicrën të përparonte në mënyrë paqësore dhe të ruante një rol të veçantë si ndërmjetës, përfshirë edhe gjatë Luftës së Ftohtë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re